Sot zhvillohet seanca e 48-të me radhë në përpjekje për të konstituar Kuvendin e Kosovës, i cili vazhdon të mbetet në ngërç institucional që prej mbledhjes së parë më 15 prill.

Deputetët do të takohen sërish në një tjetër tentativë për të tejkaluar bllokadën që ka shënuar procesin, i cili që nga fillimi ka vijuar me ndryshime të shpeshta çdo 48 orë, por pa asnjë rezultat konkret.

Në seancën e fundit, dështoi propozimi për krijimin e komisionit që do të menaxhonte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke e lënë edhe një herë procesin në vendnumëro.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është i obliguar të konstituohet përfundimisht brenda 30 ditëve nga seanca e parë, duke e vendosur afatin përfundimtar më 26 korrik.

Çështja kyçe që vazhdon të pengojë përparimin mbetet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, një hap i domosdoshëm për përbërjen e plotë të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Pavarësisht presionit politik dhe institucional, bllokadat ndërmjet partive politike ende nuk janë kapërcyer, ndërsa afati kushtetues po afrohet me ritëm shqetësues.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb