Në Milano dhe jo vetëm, emri i Asllanit vijon të qarkullojë fuqishëm në Serie A, kjo për disa arsye. Më kryesorja është fakti që Inter e ka nxjerr në shitje mesfushorin kuqezi, nuk bën pjesë në planet teknike të klubit, por në të njëjtën kohë nuk mungojnë as të interesuarit. Një ditë më parë, mediat italiane zbuluan se Asllani është kthyer në një prioritet për ekipin e Fiorentinës.
Me bekimin e trajnerit Pioli, ekipi vjollcë ka kërkuar informacione zyrtare për Asllanin. Në ditën e tij të prezantimit si trajneri i ri i Fiorentines, Stefano Pioli u pyet mbi këtë temë: “A më pëlqen Asllani? Mua më pëlqen shumë Jannik Sinner, shumë fare. I bej komplimentet e mia dhe e ftoj të vijë të na vizitojë në Viola Park”, u përgjigj shkurtimisht Pioli duke dribluar pyetjen e gazetarit të Sky Sport.
Jo vetëm Fiorentina, mediat italiane shkruajnë se Asllani është një opsion edhe për dy klube të tjera në Serie A, Bologna dhe Atalanta. Në fakt, kur bëhet fjalë për Atalantën, më shumë kjo është një përpjekje e Interit për të ulur kostot e transferimit të Lookman.
Sulmuesi nigerianin ka dhënë pëlqimin e tij për një transferim në Milano, ndërsa Inter kërkon të përfshijë kartonin e Asllanit në negociata. Atalanta do të ishte një opsion ideal për mesfushorin kuqezi pasi në Bergamo do të gjente edhe kapitenin e tij në përfaqësuese, Berat Gjimshitin.
(BalkanWeb)
