Juventus vijon të jetë shumë aktiv në këto ditë të nxehta të muajit Korrik, sa i takon lëvizjeve në merkato. Së fundmi flitet se “Zonja e Vjetër” i është vënë pas  Jadon Sancho-n dhe ka bërë një ofertë të re prej 15 milionë paund (rreth 17.3 milionë euro) për Manchester United, që kërkon 25 milionë euro. Sancho ka dhënë pëlqimin për transferimin në Torino.

Për të realizuar këtë blerje, Juventusi ka nevojë të shesë Nico Gonzalez. Al Ahli ka ofruar 30 milionë euro, një shumë që do ndihmonte klubin bardhezi të balancojë shpenzimet, pasi argjentinasi i ka kushtuar 33 milionë euro vitin e kaluar. Gonzalez tani duket se është i hapur për largim.

Ndërkohë, është zyrtarizuar blerja e Francisco Conceiçao: Juventusi ka arritur marrëveshje përfundimtare me Porton për 32 milionë euro, të pagueshme në katër këste, pas një huazimi të mëparshëm prej 9,5 milionë euro. Totali i operacionit shkon në rreth 42 milionë euro.

Vendimtar ishte vetë lojtari, që hoqi dorë nga 6,4 milionë euro (20% e kartonit të tij) për të mbyllur transferimin. Kjo bëri që Porto të pranonte marrëveshjen, edhe pse çmimi i kartonit kishte shkuar në 45 milionë euro pas skadimit të klauzolës.

Treneri Tudor dëshiron të ndërtojë sulmin me dyshen Conceiçao-Sancho, për të sjellë më shumë shpejtësi dhe papritur në repartin ofensiv të Juventusit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb