Kontaktet diplomatike midis Rusisë dhe Ukrainës duket se janë në rrugën e duhur për t’u rinisur, pasi sipas një burimi që foli për agjencinë ruse TASS ekziston një mirëkuptim se do të mbahet një raund i tretë bisedimesh të drejtpërdrejta.
“Ekziston një mirëkuptim i tillë. Data do të përcaktohet”, tha i njëjti burim, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth vendit ose formatit të bisedimeve.
Më parë, Kremlini kishte deklaruar se priste një tregues zyrtar nga Kievi në lidhje me qëllimin e tij për të marrë pjesë ose jo në një raund të ri negociatash, si dhe një propozim përkatës se kur ato mund të zhvillohen. Sipas zëdhënësit të Kremlinit , Dmitry Peskov pala ruse vazhdon të mbajë një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi përmes këshilltarit të presidentit rus, Vladimir Medinsky.
Peskov konfirmoi se kontaktet vazhdojnë përmes “vijës Medinsky” , duke iu përgjigjur një pyetjeje përkatëse nga TASS.
“Ne mbajmë kontakte përmes vijës Medinsky me homologun tonë ukrainas”, vuri në dukje ai, duke shmangur lidhjen direkte të çdo vonese nga Kievi me presionin nga vendet perëndimore.
Raundi i dytë i bisedimeve të drejtpërdrejta u zhvillua në fillim të qershorit, gjatë të cilit të dy palët shkëmbyen projekt-memorandume për një zgjidhje paqësore. U ra dakord edhe për shkëmbimin e të burgosurve të luftës të plagosur rëndë dhe trupave të ushtarëve të vdekur. Pala ruse dorëzoi disa mijëra trupa ushtarësh ukrainas në Kiev.
(BalkanWeb)
