Partia Demokratike po përgatitet për një fazë të re të aksionit të saj opozitar në muajt në vijim. Kështu u shpreh Alfred Lela, Drejtor i Zyrës së Komunikimit në PD, gjatë një interviste në studion e News24.
Lela tha se forumet e partisë do të mblidhen së shpejti për të përcaktuar një axhendë të mirëmenduar, që do të nisë në vjeshtë dhe do të përfshijë zhvillimet politike që lidhen edhe me zgjedhjet e pjesshme lokale në disa bashki.
Ai theksoi se PD nuk do të përsërisë gabimet e së shkuarës, duke iu referuar bojkotit të institucioneve që, sipas tij, nuk dha rezultatet e pritshme.
“Braktisja e institucioneve, në kujtesën politike të PD-së, nuk ka rezultuar një veprim që ia vlen të përsëritet. Bojkoti i parlamentit solli atë që tashmë të gjithë e dimë”, u shpreh Lela.
Sipas tij, aksioni opozitar do të vijojë me grupin parlamentar aktual, ndërsa një rëndësi të veçantë do të kenë takimet dhe angazhimet ndërkombëtare të liderëve të PD-së.
Ai përmendi gjithashtu angazhimin e kryedemokratit Sali Berisha dhe eksponentëve të tjerë të PD-së në kontaktet me partnerët ndërkombëtarë, si një pjesë thelbësore e betejës opozitare brenda dhe jashtë vendit.
