Emisioni investigativ Vetting, News24

Por përveç dhunës, në qendrat rezidenciale publike janë konstatuar parregullsi me fondet publike për këtë kategori si mungesë transparence me tenderat për ushqim, ilaçe dhe pajisje. Disa qendra raportojnë mungesë materialesh si detergjentë për rrobat, produkte higjienike dhe sende të domosdoshme për përkujdesjen e përditshme. Por kur paratë mungojnë, mungon edhe shpresa.

Një nga këta tendera është ka si objekt “Furnizim me ushqime” për Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë me fond limit prej 8 milionë lekësh.

Procedura e tenderimit, që është cilësuar me “flamur të kuq”, është realizuar nga drejtori Fisnik Krasniqi, një funksionar nën juridiksionin e Bashkisë Kavajë.

Sipas të dhënave nga “Openprocurement.al” një shërbim i AIS, tendera me flamur të kuq paraqesin indicie për korrupsion dhe favorizim të kompanive në fushën e prokurimeve publike. Në këtë rast procedura është zhvilluar me vetëm një operator ekonomik, gjë që ngre dyshime të forta për favorizim dhe mungesë gare.

“Problematika të tilla do të sjellin probleme jo vetëm me kequshqyerjen, por do të sjellin pasoja direkte në cilësinë e jetesës në shtëpinë e të moshuarve. Shtëpia e të moshuarve duhet të jetë më e përgjegjshme, dhe këtu ka vend për hetim për të parë si është procesi i tenderimit dhe në çfarë sasie dhe në çfarë vlere është ky proces”, tha Romina Radoshiq.

Me këto fonde do të furnizohej për 1 vit kuzhina me produktet e nevojshme për gatim. Tenderi u publikua më 29 janar 2025 dhe u mbyll në 10 shkurt. Procesi përfundoi pa konkurrencë  me vetëm një kompani, e cila u shpall automatikisht fituese.

Kompani fituese ishte “4 S”, që është në pronësi të Xhino Sinanit. “4 S” është një nga firmat më aktive në tregun e furnizimeve publike, nga konviktet e deri te institucionet e burgjeve dhe prej kohësh dyshohet për monopolizimin e këtij sektori.

Një klient i rregullt i Bashkisë Kavajë
Vetëm gjatë vitit 2024, “4 S” ka fituar 74 tendera nga njësitë e qeverisjes vendore, shumica e të cilëve janë identifikuar me “flamur të kuq”. Bashkia e Kavajës është një nga institucionet që ka lidhje të vazhdueshme me këtë kompani.

Në prill 2024, firma fitoi një kontratë 12-mujore me vlerë 1.8 milionë lekë për furnizimin me mish për Shtëpinë e të Moshuarve. Po atë ditë, iu dha edhe një kontratë tjetër për bulmet, me të njëjtën vlerë dhe kohëzgjatje. Përveç ushqimeve, bashkia i ka dhënë kompanisë së Sinanit edhe tenderin për furnizim me lëndë djegëse si dru zjarri dhe pelet.

Ndërsa nevoja për strehim për të moshuarit rritet çdo vit, numri i vendeve në dispozicion mbetet i kufizuar. Qindra aplikime bëhen çdo muaj, por shumë të moshuar mbeten jashtë. Të braktisur nga të afërmit por edhe nga shteti i cili duhet të mundësonte më shumë qendra rezidenciale publike që të kujdeseshin për të moshuarit që nuk mund të jetojnë vetëm në shtëpi ku rrezikojnë të vdesin të harruar.

Vetëm dy prej këtyre institucioneve janë nën administrimin e Shërbimit Social Shtetëror, ndërsa të tjerat janë në varësi të njësive vendore, që shpesh nuk kanë as kapacitetet as burimet për t’i menaxhuar.

Të jetosh është një e drejtë. Por të plakesh me dinjitet nuk është vetëm përgjegjësi personale, por është një detyrim moral i shoqërisë. Madje edhe nëse shoqëria e humbet moralin, ekzistojnë institucione dhe ligje që nuk e përjashtojnë këtë shtresë nga përkujdesi.

Në Shqipëri, sistemi i përkujdesit për të moshuarit është në krizë. Nga mungesa e fondeve, e deri te mungesa e trajtimit njerëzor, azilet tona po bëhen vendqëndrimi i hidhur i një shoqërie që ka harruar të vjetrit.

Në një vend ku respektohet më shumë rruga sesa njeriu, të moshuarit janë kthyer në statistika të heshtura. Por pas çdo numri, ka një histori, një jetë. Një zë që meriton të dëgjohet nga institucionet të cilat duhet të jenë në shërbim të moshës së tretë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb