Avokati Erald Aga ka komentuar aksionin e nisur nga kryeministri Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në vend, gjatë një interviste në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24. Sipas tij, ky aksion është një formë “mea culpa” nga ana e autoriteteve, që nënkupton një pranim të fajit për mungesën e kontrollit ndaj ndërtimeve pa leje ndër vite.

“Është e vërtetë që ka ndërtime pa lejet e nevojshme. Nga viti 2015 e në vijim janë zënë shumë hapësira publike. Ky aksion është një lloj pranim faji nga autoritetet për mosveprimet e mëparshme,” tha Aga.

Ai shtoi se përgjegjës për mbikëqyrjen e territorit janë njësitë administrative dhe bashkitë përkatëse, të cilat kanë detyrën të ndalojnë dhe të mos lejojnë zaptimin e pronave publike apo të përbashkëta.

Duke u ndalur tek hapësirat e përbashkëta në pallatet e banimit, avokati theksoi se shpesh herë janë vetë bizneset që vendosin tenda ose struktura të përkohshme pa miratimin e banorëve, duke bllokuar qasjen në rrugica apo hyrje.

“Në këto raste, përgjegjës janë administratorët e godinës dhe njësia përkatëse administrative. Kjo e fundit nuk mund të japë asnjë leje nëse nuk janë firmosur 51% e banorëve të kompleksit. Këto hapësira konsiderohen pronë e përbashkët e të gjithë banorëve,” nënvizoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb