Një histori e dhimbshme ka tronditur opinionin publik këtë të mërkurë, pasi u transmetua në emisionin “Me Zemër të Hapur” të moderatores Evis Ahmeti në News24. Një 24-vjeçare, shtatzënë në muajin e shtatë, rrëfeu mes lotësh jetën e saj të mbushur me vuajtje, varfëri ekstreme dhe indiferencë institucionale.

E reja rrëfeu se është martuar që në moshën 16-vjeçare për vetëm 700 mijë lekë të vjetra (rreth 70 mijë lekë të reja). Sot, ajo endet rrugëve të Tiranës me vajzën e saj 4-vjeçare në prehër, duke kërkuar ndihmë nga kalimtarët për të mbijetuar ditën.

“Dal çdo ditë dhe lyp me vajzën time sepse nuk kemi çfarë të hamë. Nuk kam mundësi as të blej rroba për foshnjën që pres,” tha ajo mes lotësh.

E braktisur nga çdo sistem mbështetës, ajo jeton kryesisht në rrugë, ndërsa ndihma ekonomike dhe shërbimet sociale janë inekzistente në jetën e saj. Historia e saj u bë edhe më e trishtë kur tregoi se bashkëshorti i saj, i cili tentoi të siguronte diçka për familjen, u arrestua pasi u kap duke vjedhur një monopatinë elektrike.

“Nuk kërkoj luks. Dua vetëm një vend të sigurt për të lindur dhe një vakt të ngrohtë për vajzën time, që në vend të kopshtit endet në rrugë,” tha ajo.

Kjo histori nuk është thjesht një apel për ndihmë, por një kambanë alarmi për realitetin e ashpër të shumë familjeve që jetojnë në varfëri ekstreme dhe që shpesh mbeten të padukshme për institucionet dhe shoqërinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb