NGA OLA MITRE*
Fëmijët në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Azinë Qendrore po paguajnë çmimin për progresin e pabarabartë dhe të padrejtë në rajon, pasi kanë shumë gjasa që të jenë të varfër dhe më vulnerabël sesa të rriturit”. Në këtë përfundim ka arritur raporti më i fundit “Një shans i drejtë për çdo fëmijë”, prezantuar nga UNICEF-i në Gjenevë, i cili përfshin edhe Shqipërinë.
Ai vë në dukje se deri në vitin 2030, 69 milionë fëmijë do të vdesin për shkaqe kryesisht të parandalueshme, 167 milionë fëmijë do të jetojnë në varfëri dhe 750 milionë gra do të martohen fëmijë. Sa i takon vendit tonë, raporti vë në dukje disa masa të rëndësishme që janë marrë në drejtim të legjislacionit, me qëllim arritjen e barazisë për fëmijët.
“Në Shqipëri, Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2015-2020, për herë të parë, artikulon qartë nevojën për të harmonizuar më mirë instrumentet e ndryshme ekzistuese të mbrojtjes sociale, duke njohur se vetëm asistenca me para në dorë (cash) nuk mund të trajtojë nevojat komplekse të familjeve dhe fëmijëve vulnerabël. Strategjia aktuale për Arsimin Parauniversitar, e zhvilluar nëpërmjet asistencës teknike të UNICEF-it, angazhohet për rritjen e aksesit për të nxënit hershëm, duke i bërë jehonë advokacisë që bën UNICEF-i, për përfitime më të mëdha në qoftë se vendi investon që në moshë të hershme dhe duke synuar grupet më të disavantazhuara”, thuhet ndër të tjera në raport.
Ndërkaq, sipas tij, arritja e barazisë për fëmijët është një çështje prioritare, e cila njeh si rëndësinë morale, ashtu edhe atë strategjike të investimit për ata që kanë më shumë nevojë. Për këtë arsye UNICEF-i kërkon nga ana e qeverive kapërcimin e barrierave dhe vështirësive, përfshirë normat sociale që i largojnë fëmijët nga mbështetja për të cilën ata kanë nevojë dhe që pengojnë aksesin e tyre në mundësi dhe shërbime jetike.
Po ashtu, kërkohet kthimi i angazhimit në veprime nëpërmjet programeve dhe shpenzimeve publike për të përmirësuar jetët e atyre më të disavantazhuar, siç janë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët që vijnë nga familjet rome dhe fëmijët që vijnë nga familjet e varfra. “Kjo përfshin përmirësimin dhe zgjerimin e mbrojtjes sociale për fëmijët vulnerabël”, thuhet në raport, ndërsa kërkohet edhe investimi i qeverive dhe donatorëve në politika me në qendër fëmijët.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
