Dinamo shënon kthimin e saj pas shumë vitesh në Europë, teksa merr pjesë në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku përballet me ekipin e Atletik D’Eskaldes të Andorrës. Blutë kanë qenë me fat me shortin dhe shihen si favoritë për të kaluar më tej në turne.
Ndeshja e parë luhet të enjten e ardhshme në Andorra dhe është caktuar tashmë edhe orari dhe stadiumi për zhvillimin e duelit mes dy skuadrave. UEFA ka zyrtarizuar zhvillimi e takimit në “Estadi FAF”, stadiumin më modern të Andorrës. Impianti prej 5 mijë vendesh është inauguruar në vitin 2025 dhe është ai që pret edhe ndeshjet e përfaqësueses së këtij vendi.
Megjithatë, ajo që të bie më shumë në sy, është fakti se ndeshja në fjalë do të luhet në orën 16:00. Një orar i papërshtatshëm duke llogaritur edhe temperaturat e larta në këtë periudhë të vitit, por që është pranuar nga UEFA. Duket se vendasit kërkojnë të përfitojnë nga përshtatja me këto temperatura, për të vënë në vështirësi sa më të mëdha blutë e drejtuar nga Ilir Daja në takimin në fushën e tyre.
