Partia Likud e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi të premten ish-administratën amerikane nën Presidentin Joe Biden për ndërhyrje në punët e brendshme të Izraelit duke kanalizuar fonde për organizatat e krahut të majtë, në një përpjekje të supozuar për të rrëzuar qeverinë e krahut të djathtë.

Në një deklaratë, Likud citoi një memo të Kongresit të publikuar rishtazi, ku pretendohej se administrata Biden transferoi gati 1 miliard dollarë te OJQ-të izraelite që kundërshtojnë qeverinë aktuale, duke e përshkruar këtë si “një përpjekje të drejtpërdrejtë për të destabilizuar udhëheqjen e zgjedhur”.

Partia pretendoi më tej se financimi “përkeqësoi përçarjet e brendshme dhe inkurajoi sfidën dhe rebelimin politik”.

Pavarësisht mbështetjes së fortë të Bidenit për qeverinë e Netanyahut gjatë luftës së vazhdueshme në Gaza, Likud tha se memorandumi tregon se elementë brenda administratës kishin mbështetur gjithashtu, përmes ndërmjetësve, grupe të lidhura me Hamasin dhe organizata të përfshira në fushatat globale anti-Izrael.

“Ajo që dikur dukej si spekulim, tani mbështetet nga dokumente zyrtare”, tha partia, duke e quajtur atë “një përpjekje të paprecedentë të huaj për të zëvendësuar qeverinë e krahut të djathtë të Izraelit”.

Memorandumi, i publikuar të enjten nga Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve, akuzon administratën Biden për keqpërdorim të fondeve të taksapaguesve përmes USAID-it, Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera, për të mbështetur drejtpërdrejt dhe tërthorazi organizatat e përfshira në protesta masive kundër reformave gjyqësore të propozuara nga Netanyahu.

Midis grupeve të përmendura ishin “E Ardhmja Blu dhe e Bardhë” dhe “Lëvizja për Qeverisje Cilësore në Izrael”, të cilat dyshohet se kanë marrë fonde të konsiderueshme nga subjekte me seli në SHBA, duke përfshirë organizata të mbështetura nga grante federale.

Sipas memorandumit, “E Ardhmja Blu dhe e Bardhë” shërbeu si qendra kryesore organizative për lëvizjen protestuese antiqeveritare, ndërsa Lëvizja për Qeverisje Cilësore mori 42,000 dollarë për programe “trajnimi për aktivizëm qytetar” në shkollat izraelite.

Raporti gjithashtu pretendonte se disa fonde arritën te OJQ-të që kishin lidhje me Hamasin, përfshirë Bayader për Mjedisin dhe Zhvillimin, një grup me bazë në Gaza që thuhet se mbajti aktivitete të përbashkëta me zyrtarët e Hamasit. Bayader mori gati 1 milion dollarë ndihmë nga SHBA-ja që nga viti 2016, përfshirë një grant të lëshuar vetëm një javë para sulmit të 7 tetorit.

Administrata Biden nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare lidhur me akuzat.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb