Gazetari i kronikës në News24, Igli Çelmeta, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” të moderuar nga Nisida Tufa, ka shpjeguar të vërtetën e aplikacionit “Matrix”, ku sipas tij shumë portale kanë abuzuar me lajmin se është zbërthyer.

Sipas Çelmetës, nëse do të kishte një zbërthim të aplikacionit “Matrix”, autoritetet franceze, belge, holandeze, në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust, do të kishin dalë në një deklaratë zyrtare, ashtu siç u bë në rastin e aplikacionit Sky ECC.

Igli Çelmeta: “U përfol që ky aplikacion u zbërthye dhe tashmë shumë personazhe të botës së krimit dhe jo vetëm do të përfundonin në pranga. E vërteta është ndryshe, nuk është zbërthyer aplikacioni. Dua të kujtoj rastin e aplikacionit Sky ECC, që është zbërthyer nga autoritetet belge, franceze dhe holandeze, së bashku me Europol dhe EuroJust, që ishte një punë mjaft e madhe dhe pati deklarata zyrtare nga të gjitha ato që përmenda.

Në këtë rast nuk kemi një deklaratë zyrtare nga asnjë autoritet. Bëhet fjalë vetëm një procedim penal dhe hetim nga SPAK ku është përfshirë ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, ku dyshohet se pjesëtarë të këtij grupi kriminal kanë përdorur aplikacionin Matrix. SPAK u ka kërkuar sërish këtyre autoriteteve që të zbërthehet vetëm komunikimi i këtij grupi dhe jo i gjithë aplikacioni.”

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb