Jetmir Muçllari ka reaguar pas raportimeve në media ku akuzohet për ushtrim dhune ndaj kryeplakut të fshatit. Në reagimin e tij, Muçllari kundërshton kategorikisht akuzat, duke pretenduar se ai vetë ka qenë viktimë e një agresioni të ushtruar nga Ilir Tasellari, të cilin e cilëson si “kryeplak të vetëshpallur dhe pa funksion zyrtar”.

Sipas Muçllarit, përplasja mes tyre ka një histori më të gjatë dhe rrjedh nga konflikte pronësie. Ai thotë se Tasellari ka hyrë në mënyrë të përsëritur në pronën e tij private pa të drejtë ligjore, duke e konsideruar rrugë publike një territor të rrethuar dhe të pajisur me dokumentacion të rregullt. “Punimet në pronën time janë bërë me leje. Ai ka hyrë me forcë dhe më ka provokuar vazhdimisht,” deklaron Muçllari.

Ngjarja e fundit, sipas tij, përshkallëzoi kur Tasellari e goditi i pari me një tullë dhe më pas me një copë qeramidhe, duke i shkaktuar plagë në kokë dhe mpiksje gjaku në sy. “Përfaqësues të bashkisë dhe të IKMT-së ishin të pranishëm dhe konstatuan se ne ishim pala e dëmtuar,” shton ai.

Muçllari e akuzon Tasellarin edhe për ndërtim pa leje dhe zaptim të territorit publik, përfshirë një bodrum të fshehur në hotelin e tij dhe ndërhyrje pranë varrezave të fshatit. Ai pohon se Tasellari është përfshirë më herët në konflikte të ngjashme me banorët lokalë dhe e lidh atë me një “grup të strukturuar interesash të paligjshme”.

Lidhur me pamjet e publikuara në media, Muçllari thotë se videoja është e manipuluar dhe nuk përfshin momentin kur ai goditet i pari. “Mjetet me të cilat jam plagosur ndodhen aktualisht në polici dhe do të shërbejnë si prova në hetim,” përmbyll ai deklaratën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb