Mijëra njerëz demonstruan në Tel Aviv dhe qytete të tjera izraelite të shtunën, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës.

“Gjashtë muaj më parë, pashë diellin për herë të parë pas 471 ditësh në tunelet e Hamasit”, tha ish-pengu Doron Steinbrecher para një turme të mbledhur në Tel Aviv, sipas Times of Israel. “Sot, gjashtë muaj më vonë, ende nuk mund të marr frymë pa frikë… Kjo kërkon kohë. Dhe hapi i parë është që të gjithë të kthehen”, shtoi ajo.

Marshimi filloi në Sheshin e Pengjeve në qendër të Tel Avivit dhe u drejtua drejt kompleksit të Ambasadës së SHBA-së në Rrugën Hayarkon.

Pjesëmarrësit brohoritën parulla duke i bërë thirrje Presidentit të SHBA-së Donald Trump të ushtrojë presion mbi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Hamasin.

Negociatat indirekte në kryeqytetin e Katarit kanë vazhduar për javë të tëra, pa dhënë asnjë rezultat deri më tani. Diplomatët nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja kanë marrë një rol ndërmjetësimi. Të premten, Trump shprehu besimin e tij se 10 pengje të Hamasit do të lirohen “shumë shpejt”, pa dhënë më shumë detaje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb