Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi të shtunën se Kievi i ka propozuar Moskës një raund të ri bisedimesh për paqe javën e ardhshme, pas një ngecjeje në negociata që prej fillimit të qershorit.
Dy raunde të mëparshme bisedimesh në Stamboll midis delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë nuk sollën përparim drejt një armëpushimi, por prodhuan marrëveshje për shkëmbim të burgosurish dhe kthimin e trupave të ushtarëve të vrarë.
“Shefi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Rustem Umerov, raportoi gjithashtu se ai ka propozuar një takim të radhës me palën ruse për javën e ardhshme”, tha Zelenskyy në fjalimin e tij të mbrëmjes drejtuar popullit. “Duhet të rritet ritmi i negociatave,” shtoi ai.
Zelenskyy përsëriti gatishmërinë e tij për një takim ballë për ballë me presidentin rus, Vladimir Putin. “Nevojitet një takim në nivel udhëheqësish për të siguruar vërtet paqen – një paqe të qëndrueshme,” theksoi ai.
Kremlini ka deklaruar këtë muaj se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet pas një paralajmërimi nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili i dha Rusisë një afat prej 50 ditësh për të arritur një marrëveshje paqeje, përndryshe do të përballet me sanksione.
Ndërkohë, SHBA-ja ka premtuar mbështetje të re ushtarake për Kievin, me ndihmën e aleatëve të NATO-s, pasi qytetet ukrainase vazhdojnë të përballen me sulme ajrore të intensifikuara nga Rusia.
