Aksioni kombëtar që ka nisur edhe në Shkodër për lirimin e hapësirave publike është mirëpritur nga qytetarët shkodranë. Ata shprehen se kjo ndërhyrje është e vonuar, pasi në shumë rrugë të qytetit trotuaret dhe hapësirat rekreative janë të zëna nga biznese private, duke cënuar hapësirat e dedikuara për qytetarët. Prej disa ditësh, Policia Bashkiake e Shkodrës ka zbritur në terren, duke njoftuar të gjitha bizneset që kanë zënë hapësirat publike me struktura metalike dhe pode të paligjshme në zonat e dedikuara për kalimtarët.

“Kjo punë është e drejtë duhet të lirohen hapësirat. Është zënë rruga nuk ke ku kalon. Madje është pak e vonuar”, shprehen banorët.

Ndryshe nga disa qytete të tjera, në Shkodër një pjesë e konsiderueshme e bizneseve i janë përgjigjur pozitivisht këtij aksioni, duke liruar vullnetarisht hapësirat publike, në zbatim të urdhrit të lëshuar nga efektivët e Policisë Bashkiake.

Ditën e hënë, strukturat e Policisë Bashkiake dhe institucionet e tjera të Bashkisë Shkodër do të jenë në terren për të zbatuar urdhrat e depozituar pranë bizneseve, në rast se këto nuk kanë liruar vullnetarisht hapësirat publike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb