Prokuroria pranë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, kërkon dënimin me 14 deri në 15 vite burgim për secilin prej tre shtetasve Albi Mecini, Arafat Manërkolli dhe Ervis Cukali, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentuan të transportonin 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit dy vite më parë.

Të tre janë hetuar e gjykuar në kuadër të procedimit penal nr.1070, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 278/7 dhe 236/2 të Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë, nga hetimi dhe gjykimi i këtij procedimi penal rezultoi e provuar se, të pandehurit Albi Mecini, Arafat Manërkolli dhe Ervis Cukali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe transportuar 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit.

Në diskutimet përfundimtare Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier kërkoi:

1 Deklarimin fajtor të të pandehurit Albi Mecini për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i K.Penal dhe dënimin e tij me 15 vjet burgim;
– Deklarimin fajtor të të pandehurit Alb Mecini për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer me dhunë, e parashikuar nga neni 236/2 i K.Penal dhe dënimin e tij 4 vjet me burgim.
– Në bazë të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin e shtetasit Albi Mecini me 18 vjet burgim.
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ervis Cukali për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 14 vjet burgim;
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 9 vjet 4 muaj burgim.

3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Arafat Manërkolli për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i K.Penal dhe dënimin e tij me 14 vjet burgim.
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 9 vjet e 4 muaj burgim.

***

Ngjarja

Dy vite më parë, më 30 gusht 2023, Albi Mecinit iu gjetën në dy çanta rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale. Ai u kap në flagrancë në fshatin Vajkan, ku kishte lënë mjetin e tij pranë lëndës eksplozive, në një rrugë dytësore pranë rrethrrotullimit përballë qëndrës “Viva” në rrugën për tek vendi i quajtur “Safari”. Lënda plasëse ishte e montuar me celular, gati për shpërthim në distancë.

Dyshohej se i riu në bashkëpunim me Arafat Manërkolli banues në Dibër dhe Ervis Cukali banues në Tiranë, do të vrisnin një emër të njohur të botës së krimit në Fier.

Ervis Cukali është një nga 3 personat që u arrestua nga Policia e Sarandës disa ditë më parë, gjatë operacionit policor “Diving”, zhvilluar në qytetin bregdetar. Ai po udhëtonte me një automjet tip “Porsche Panamera” në shoqërinë e 27-vjeçarit Endrit Dokut dhe të riut Imer Gega, të tre nga Kamza.

 

Ata u ndaluan mbrëmjen e 11 korriku nga efektivët e forcave “Shqiponja” të Komisariatit të Sarandës, në rrugën “Butrinti”. Njëri prej tyre, pikërisht Endrit Doku, tentoi t’i largohej kontrollit duke u hedhur në det bashkë me çantën që mbante në krah. Ai u arrit të kapej nga skafi i policisë kufitare Sarandë, ndërsa një polumbar gjeti në thellësi çantën bashkë me armën e zjarrit pistoletë brenda saj.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb