Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se rezidenca e stafit të saj dhe depoja kryesore në Deir al-Balah janë sulmuar tre herë nga ushtria izraelite të hënën, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e personelit dhe operacionet humanitare në Gaza. Sulmet ajrore shkaktuan zjarr dhe dëme të mëdha, ndërsa gratë dhe fëmijët u detyruan të evakuoheshin në këmbë mes konfliktit aktiv.
Sipas OBSH-së, disa anëtarë të stafit dhe familjarë të tyre u ndaluan nga forcat izraelite; tre u liruan më vonë, ndërsa një mbetet në paraburgim. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, kërkoi lirimin e menjëhershëm të personelit të ndaluar dhe mbrojtjen e stafit humanitar.
Deir al-Balah strehon mijëra të zhvendosur dhe është qendra e ndihmave humanitare në Gaza. OBSH paralajmëron për një kolaps të plotë të sistemit shëndetësor dhe rrezik real për “vdekje masive” nga uria nëvijim.
