Dusan Vlahovic është futur zyrtarisht në listën e dëshirave të Milanit, është kthyer në prioritetin absolut të “djallit” për të përforcuar fazën sulmuese, kjo për një arsye të thjeshtë, serbi është një pinjoll i Max Allegrit, trajneri e kërkon me çdo kusht në Milano. Giorgio Furlani ka dhënë bekimin e tij, ka autorizuar Igli Taren të punojë për t’i plotësuar këtë dëshirë trajnerit të ri, por për të arritur te Vlahovic duhet një gjysmë mrekulli.
Sipas Corriere della Sera, Milan mund të arrijë te Vlahovic vetëm nëse “Zonja e Vjetër” pranon një skonto të fortë për kartonin e tij. Milan është gati të investojë, por nuk ofron më shumë se 10 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa Juve pretendon minimi dyfishin. Jo vetëm në lidhje me kartonin, Tare dhe Milan pretendojnë që edhe vetë lojtari të ul pretendimet e tij. Këtë sezon “bomberi” serb do të përfitojë 12 milionë euro në Torino, por Tare i ofron maksimumi 6 milionë. Në këto kushte, shanset që Vlahovic të bashkohet me Allegrin janë të pakta, por Tare do të bëjë pjesën e tij, shpreson që deri në fund të gjejë një akord me Juven dhe me lojtarin.
Në pritje për të kuptuar se do të vijojnë këto negociata, në Milano shpresojë shumë që këtë javë të mbyllen dy objektivë të tjerë, Estupian dhe Jashari. Për anësorin e Brighton pritet vetëm zyrtarizimi pasi të gjithë palët kanë gjetur një akord, 15 milionë euro, plus bonuse.
Drejtori Sportiv i Milan shpreson gjithashtu që këtë javë të mbyll edhe marrëveshjen me Club Brugge. Oferta e Tares për Jasharin nuk ndryshon, 38 milionë euro, ku përfshihen disa bonuse, por nuk ndryshon as kërkesa e klubit belg, me këta të fundit që kërkojnë 40 milionë euro për ta lënë të lirë. Në krah të Igli Tares është lojtari, i cili po bën gjithçka për t’u transferuar në Milano, vijon të refuzojë të punojë me pjesën tjetër të ekipit duke u stërvitur në mënyrë të diferencuar.
(BalkanWeb)
