Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një tjetër rast të bllokimit të hapësirës publike teksa theksoi se “shumë shpejt do të kemi një pako speciale ligjore për këtë soj dhunuesish”.

Në videon e publikuar nga Rama shihet një qytetar që po lyen me bojë një varkë në hapësirën publike, duke krijuar gjithashtu edhe ndotje.

“Kjo nuk mund të jetë kurrsesi një skenë e zakonshme nga jeta e një lagjeje në qytetet e Shqipërisë 2030 në BE, e jo më një skenë e përditshme as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “dhe këtu nuk është çështja të shkojë ky e të shkojë ai për t’i larguar këta dhunues të jetës komunitare, duke i gjobitur që këta të rishfaqen prapë si në një lojë macja me miun”

“Këtu duhet vënë njëherë e mirë me ligj e me zakon vija e kuqe për këdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike me një akt zaptimi, duke bllokuar, ndërtuar, ndotur apo bërë biznes në kurriz të komunitetit, duke e ndëshkuar penalisht për dhunim të bashkëjetesës qytetare”, nënvizoi Rama.

Gjatë muajit korrik në të gjithë vendin ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna padrejtësisht nga bizneset dhe qytetarët.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb