Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër lidhur me situatën e rendit në Sarandë, duke e cilësuar qytetin si “arenë përplasjesh kriminale” në kulmin e sezonit turistik.
Në një deklaratë publike, Zhupa shprehet se qyteti bregdetar është përfshirë nga një valë ngjarjesh të rënda kriminale, ndërsa akuzon Policinë e Shtetit për mungesë veprimi dhe indiferencë.
“Personat e armatosur apo në kërkim lëvizin lirshëm në Sarandë. Vetëm në 6 ditë janë shënuar 4 ngjarje kriminale, që kanë tronditur jo vetëm banorët por edhe pushuesit,” tha Zhupa.
Ajo renditi rastet më të fundit, përfshirë përplasjen me armë zjarri më 17 korrik në lagjen nr. 4, dhunimin e një pronari hoteli në Ksamil më 19 korrik, plagosjen e një ish-efektivi policie më 20 korrik dhe shpërthimin me tritol në lagjen nr. 3 më 21 korrik.
Deputetja opozitare theksoi se klima e pasigurisë po ndikon negativisht në turizëm dhe po largon pushuesit nga Saranda. “Këto lajme thuajse të përditshme janë goditje për qytetin dhe për imazhin turistik të tij,” u shpreh ajo.
Deklarata e deputetes së PD, Ina Zhupa:
Në kulmin e sezonit turistik, Saranda është kthyer në një qytet arenë të përplasjeve kriminale dhe hesapeve të pandara, ndërkohë që policia duket se është me pushime.
Persona të armatosur apo në kërkim lëviznin lirshëm në qytet dhe prej ditësh ku kanë pasuar ngjarje kriminale ku për mosveprim apo lejim të shtetit, Saranda nuk po gjen qetësi.
4 ngjarje kriminale vetëm në 6 ditë në Sarandë, është një bilanc gjendje të jashtëzakonshme dhe tmerri për banorët.
Më 17 Korrik, dy grupe përplasen me armë zjarri në mes të ditës në lagjen numër 4, në sy të pushuesve. 19 Korrik, në Ksamil, pronari i “Euro Hotel” u dhunua me sende të forta, 20 korrik patën të shtëna me armë zjarri në lagjen numër 4, në rrugën “Mitat Hoxha” ku u plagos një ish efektiv policie, dje natën e 21 korrikut shpërthim tritoli në lagjen nr. 3. Të gjitha ngjarjet në ambiente publike në qytetar dhe pushues, duke vënë në rrezik dhe jetën e tyre.
Në qytet është krijuar një situatë paniku për jetën nga qytetarët edhe këto lajme thuajse të përditshme për Sarandën janë negative për turizmin dhe i largojnë pushuesit nga qyteti.
I bëj thirrje ministrit të brendshëm Hoxha dhe drejtorit të policisë të shtetit Proda të marrin masat e nevojshme për rend dhe siguri. Policia ka për detyrë të parandaloj, të kontrolloj territorin, dhe jo të numëroj viktimat dhe të plagosurit pas ngjarjeve.
Është e nevojshme një monitorim urgjent të gjendjes në Sarandë dhe shtim të vëmendjes policore përpara se njerëz të pafajshëm të jenë viktimat e radhës. Mos e përdorni policinë për të hequr vazot e luleve në baret e hapura por për të garantuar jetën e qytetarëve.
(BalkanWeb)
