Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para ndeshjes ndaj skuadrës kampione të Rumanisë, FCSB, takim ky i vlefshëm për turin e dytë të Champions League.
“Normalisht se ekipi kundërshtar e kemi analizuar, ata janë edhe në fazë kampionale, përveç që kanë luajtur edhe dy ndeshje në Kupat e Europës. Bisedohet për një ekip shumë cilësor, me shumë eksperiencë, por ne jemi të gatshëm që të bëjmë maksimumin dhe të mundohemi të nxjerrim rezultat pozitiv”.
Arbin Zejnullai ka tre stërvitje që është bashkangjitur me ne. Normalisht është duke i marrë ngarkesat e para, ku në fillim futbollistët kanë edhe shqetësime. Është i regjistruar me të drejtë loje, ka pak shqetësime muskulore, por do të shohim dhe do të vendosim para ndeshjes.
“Sfida e parë është që ti mundëson këto ndeshje tjera, që unë do ti kisha quajtur sfida luksi, pasi me çdo skuadër që luan në turin e dytë të Champions League, janë shumë të fuqishme dhe të respektuara, ku veçanarisht FCSB e Bukureshtit, është shpallur edhe kampion Europe. Por, futbolli është i bukur dhe më i paparashikueshëm, pikërisht se ndodhin edhe befasi, të cilat ne i shohim çdo ditë. Dhe ne duhet të jemi skuadër me këmbë në tokë, duhet të respektojmë kundërshtarin, por në të njejtë kohë, duhet të respektojmë edhe veten edhe forcën tonë edhe ekipin edhe historinë, pasi Shkëndija është ekip me traditë si në Kupat e Europës edhe në kampionat. Gjithmonë ka ditur të luaj mirë kundër skuadrave të forta. Unë shpresoj që të bëjmë një paraqitje të mirë dhe ti kënaqim tifozët”.
