Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin lidhur me masën e sigurisë për dy vëllezërit Agim dhe Florenc Domi, të arrestuar pas zbulimit të një sasie të konsiderueshme ushqimesh të skaduara në magazinën e kompanisë “Master AL” në Vorë. Ata do të hetohen në arrest shtëpie.
Agim Domi ishte administrator i magazinës, ndërsa Florenc Domi punonte si magazinier. Në seancën gjyqësore, ata pretenduan se produktet nuk ishin destinuar për treg, por për t’u asgjësuar, sapo të siguroheshin kushtet financiare për këtë proces.
Në kuadër të operacionit “Siguria Ushqimore”, policia dhe prokuroria sekuestruan 716 koli dhe dhjetëra kilogramë produkte të përpunuara, përfshirë kroasantë dhe fruta të thata, të cilat ishin të skaduara prej 7 muajsh dhe me etiketa të dyshuara si të falsifikuara. Autoritetet dyshojnë se këto produkte ishin të destinuara për t’u rikthyer në treg me etiketa të reja.
Vendimi:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, me vendimin numër 2013 Akti, datë 21.07.2025, mori në shqyrtim kërkesën e:
Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaj personave nën hetim A.D. dhe F.D., me objekt:
“1. Vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit A. D.
- Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, për shtetasin A. D.,, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, të parashikuar nga nenet 288/1 e25 i Kodit Penal.
- Vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit F. D..
- Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, për shtetasin F. D., i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, të parashikuar nga nenet 288/1 e25 i Kodit Penal.”
Gjykata, me vendimin e saj, të shpallur dhe të arsyetuar, pasi ka dëgjuar palët e pranishme në seancë, si dhe ka shqyrtuar të gjitha faktet, të dhënat, shpjegimet, qëndrimet, si dhe provat e paraqitura nga palët, përfundimisht ka vendosur si më poshtë:
V E N D O S I :
- Vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim A. D. i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, të parashikuar nga nenet 288/1 i Kodit Penal.
- Caktimin e masës së sigurimi personal ndaj personit nën hetim D. atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
- Detyrohet personi nën hetim të qëndrojë, duke mos u larguar nga banesa e tij, ndodhur në adresën., banesë në të cilën jeton me familjen e tij.
- Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga banesa e tij, në të cilën ai banon, e përcaktuar në vendimin e Gjykatës.
- Ekzekutimi dhe mbikqyrja e kësaj mase sigurimi, në zbatim të vendimit të Gjykatës, do të kryhet nga Prokurori, nëpërmjet Policisë Gjyqësore, të cilët kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë respektimin dhe zbatimin e urdhërave të përcaktuara në këtë vendim gjyqësor – neni 237 i K.Pr.Penale.
- Urdhërohet lirimi i menjëherëshëm i të pandehurit, duke e shoqëruar në banesën e tij ku është caktuar të qëndrojë, bazuar në këtë vendim gjyqësor, nëse nuk mbahet i arrestuar, i ndaluar, nën ndonjë masë tjetër sigurimi personal, apo i dënuar për llogari të ndonjë vepre apo proçedimi tjetër penal.
- Vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim F. D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, të parashikuar nga nenet 288/1 i Kodit Penal.
- Caktimin e masës së sigurimi personal ndaj personit nën hetim D., atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
- Detyrohet personi nën hetim të qëndrojë, duke mos u larguar nga banesa e tij, ndodhur në adresën: Tiranë, ., banesë në të cilën jeton me familjen e tij.
- Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga banesa e tij, në të cilën ai banon, e përcaktuar në vendimin e Gjykatës.
- Ekzekutimi dhe mbikqyrja e kësaj mase sigurimi, në zbatim të vendimit të Gjykatës, do të kryhet nga Prokurori, nëpërmjet Policisë Gjyqësore, të cilët kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë respektimin dhe zbatimin e urdhërave të përcaktuara në këtë vendim gjyqësor – neni 237 i K.Pr.Penale.
- Urdhërohet lirimi i menjëherëshëm i të pandehurit, duke e shoqëruar në banesën e tij ku është caktuar të qëndrojë, bazuar në këtë vendim gjyqësor, nëse nuk mbahet i arrestuar, i ndaluar, nën ndonjë masë tjetër sigurimi personal, apo i dënuar për llogari të ndonjë vepre apo proçedimi tjetër penal
- Ngarkohet Policia Gjyqësore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
- Shpenzimet proçeduriale si dhe ato gjyqësore sikurse janë kryer.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit të Gjykatës.
- U shpall në Tiranë, sot më dt. 21.07.2025.
