Me pauzën 3-javore që tashmë po i drejtohet fundit, Botërori 2025 i Formulës 1 do të rikthehet me garën e Belgjikës, për të startuar gjysmën e dytë të sezonit. Me motorët e njëvendësheve për momentin të fikur, nga ana tjetër zërat e merkatos së pilotëve janë më të ndezur se kurrë, ndërsa në qendër të tyre është e ardhmja e Maks Vershtapenit.

Zak Braun, drejtori ekzekutiv i MekLaren, në një bisedë me ESPN, foli hapur rreth për katër herë kampionin e botës në F1. Braun nuk e fsheh faktin se është i frikësuar për një kalim të mundshëm të Vershtapenit te Mercedesi në sezonin e ardhshëm. “E vërteta është se kjo perspektivë është paksa e frikshme. Mendoj se Mercedes është qartësisht në rritje, ndërsa Red Bulli nuk po kalon një moment të mirë. Maks është një talent i jashtëzakonshëm dhe perspektiva e kalimit të tij te Mercedesi është frikësuese. Ai do të ishte një rival shumë serioz”, pranon pa hezitim shefi i MekLarenit.

TEORIA E MARTIN BRANDËLL

Megjithatë, ndryshe nga Zak Braun, të tjerë në botën e Formulës 1 mbështesin teorinë e qëndrimit të Maks Vershtapenit te Red Bulli. Martin Brandëll, ish-piloti dhe analist në F1, mendon se me largimin e Kristian Hornerit, Vershtapen do të mbetet te skuadra austriake:

“Shkarkimi i Hornerit mund ta bëjë më të mundshëm qëndrimin e Vershtapenit. Mendoj se ishte bërë një çështje shumë personale, pasi Horner nuk pëlqehej nga familja Vershtapen, kështu që mendoj se Jos (babai) dhe Maks kanë qenë të përfshirë në vendimin e marrë nga skuadra për të larguar drejtorin”, u shpreh Brandëll, duke siguruat kështu se baba dhe bir kishin shumë të bënin me largimin e papritur të menaxherit britanik. Këtë fundjavë, Botërori 2025 i Formulës 1 do të zhvendoset në Spa për Çmimin e Madh të Belgjikës, ndalesa e 13-të sezonale e kampionatit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb