Një banesë në zonën e quajtur “Rruga e Ersekës” është përfshirë totalisht nga flakët pasditen e kësaj të marte. Mësohet se i zoti i shtëpisë ka mbetur i lënduar lehtë, ndërsa zjarri ka nisur në ambientet e brendshme të banesës.
Zjarrfikësja ndodhet në vendngjarje për fikjen e zjarrit, ndërsa ka mbërritur dhe policia për zbardhjen e rrethanave. I lënduari u mor nga ambulanca për t’u çuar drejt spitalit të Korçës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka falënderuar punonjësit e Patrullës së Përgjithshme në DVP Korçë, të cilët, rrezikuan jetën duke u futur mes flakëve dhe shpëtuan një të moshuar që ishte rrethuar nga zjarri, i cili kishte përfshirë një banesë në zonën e quajtur “Rruga e Ersekës”, që u dogj plotësisht.
Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit
Të nderuar kolegë, Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari,
Ndihem thellësisht i emocionuar dhe krenar për guximin, sakrificën dhe humanizmin tuaj. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi, rrezikuat jetën për të shpëtuar një qytetar të moshuar, i cili ishte rrethuar nga flakët dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej.
Ky akt fisnik tregon më së miri se të jesh pjesë e Policisë së Shtetit është shumë më tepër se një detyrë, është një mision i shenjtë në mbrojtje të jetës.
Për ne, shërbimi ndaj qytetarëve nuk është thjesht një përgjegjësi institucionale, por një thirrje e përditshme për të qenë pranë tyre, sidomos në momentet më të vështira.
Ju falënderoj nga zemra për shembullin e jashtëzakonshëm që dhatë dhe për nderin që i bëtë uniformës sonë.
Krenar për ju dhe për të gjithë efektivët e Policisë që e nderojnë Policinë e Shtetit me veprime që frymëzojnë dhe rrisin besimin e qytetarëve tek Policia.
Suksese në përmbushjen e misionit tonë, sa të vështirë, aq edhe fisnik!
(BalkanWeb)
