Përleshjet e dhunshme midis komuniteteve në provincën jugore siriane të Sweidës, ku popullsia është kryesisht druze, vranë të paktën 1,311 persona në një javë nga 13 korriku deri në një armëpushim që hyri në fuqi të dielën (20 korrik), sipas numërimit të fundit të publikuar të martën nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Grupi tha se kishte mbledhur të dhëna për vdekje të tjera përpara se armëpushimi të hynte në fuqi.
Të vdekurit përfshijnë 533 luftëtarë dhe 300 civilë që i përkisnin komunitetit Druze (gjithsej 833 anëtarë të këtij komuniteti), nga të cilët 196 u “ekzekutuan menjëherë” nga anëtarët e forcave të “Ministrisë së Mbrojtjes dhe Brendshme”.
Nga ana tjetër, u vranë 423 anëtarë të forcave qeveritare dhe 35 beduinë sunitë , përfshirë tre civilë që u “ekzekutuan menjëherë nga luftëtarët druzë”, sipas kësaj organizate, e cila ka selinë në Londër dhe mbështetet në një rrjet të gjerë burimesh në Siri.
Në të njëjtën kohë, 15 anëtarë të forcave qeveritare de facto u vranë në bombardimet izraelite, gjithmonë sipas OJQ-së.
Numri i mëparshëm i dhënë nga burimi ishte 1,260 të vdekur.
Gjatë luftimeve, Izraeli, duke pretenduar se mbronte pakicën druze, bombardoi pozicionet qeveritare në Sweida dhe instalimet e reja të regjimit në Damask për të detyruar autoritetet të tërhiqnin forcat e tyre nga provinca.
Armëpushimi hyri në fuqi pasi luftëtarët beduinë dhe fisnorë u tërhoqën nga qyteti me të njëjtin emër, kryeqyteti i provincës.
(A.A/BalkanWeb)
