Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka nisur faza e mbrojtjes nga ana e të pandehurve, të cilëve u është pranuar gjykimi i shkurtuar.

Gjatë fjalës së tij, ish-drejtori ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë, Saimir Kadiu, kërkoi shpalljen e tij të pafajshëm, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje me shpërdorimet e pretenduara nga SPAK.

Për të përforcuar qëndrimin e tij, Kadiu solli edhe një anekdotë përpara trupit gjykues:

“Lexova një anekdotë para disa ditësh: merr flakë një pyll dhe të gjitha kafshët mblidhen, duke menduar se ndoshta zoti po i ndëshkon për mëkatet e tyre. Luani pranon se ka ngrënë shumë prej tyre, ujku dhe dhelpra po ashtu. Kur vjen radha e gomarit, ai thotë: ‘Pashë një lëndinë me bar të gjelbër dhe shkova ta haja’. Të gjitha kafshët shpallin se kjo ishte mëkat i rëndë dhe e dënojnë gomarin.”

I pyetur nga gjykata se përse e solli këtë tregim, ish-zyrtari u përgjigj shkurt: “Kërkoj të mos jem unë gomari.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb