Vatra e zjarrit e shfaqur mbrëmjen e së martës në pyjet e fshatit Mamëz, në Kukës, është shuar. Ky është rasti i dytë i rënies së zjarrit në këtë zonë brenda pak ditësh. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve, duke përkeqësuar situatën dhe duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e  forcave të emergjencës.

Në terren për shuarjen e flakëve u angazhuan grupe të shumta pune, përfshirë 22 forca zjarrfikëse dhe dy grupe vullnetarësh, punonjës të shërbimit pyjor, banorë të zonës dhe të ushtrisë nga Tirana. Për shkak të terrenit të thyer malor, nuk ka qenë e mundur ndërhyrja me automjete zjarrfikëse. Puna për izolimin dhe shuarjen e flakëve është bërë me pompa shpine dhe mjete rrethanore.

Sipas Shërbimit Zjarrfikës të Kukësit, zjarri është vënë tashmë nën kontroll. Megjithatë, vatra të vogla ende janë aktive dhe monitorohen nga afër për të shmangur rindezjen. Deri tani nuk ka informacion zyrtar mbi shkakun e zjarrit, por burime paraprake flasin për djegien e disa hektarëve pyje dushku dhe bimësi të dendur.

Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të komunitetit në parandalimin dhe raportimin e zjarreve. Situata mbetet e ndjeshme për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta që po karakterizojnë këto ditë vere.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb