Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën turistike të Lumit të Shalës, ku dy të rinj kanë mbetur të plagosur rëndë si pasojë e një konflikti të dhunshëm me mjete të forta.
Sipas burimeve, sherri ka nisur rreth orës 02:00 mes disa turistëve shqiptarë dhe disa personave që ushtrojnë aktivitet biznesi në këtë zonë. Përplasja fizike ka zgjatur për disa minuta, duke krijuar panik dhe shqetësim mes pushuesve të shumtë që ndodhen në këtë pikë turistike mjaft të frekuentuar.
Burime nga vendngjarja raportojnë se janë përdorur mjete të forta, ndërsa dy të rinj janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata janë transportuar për ndihmë mjekësore.
Kjo nuk është hera e parë që në Lumin e Shalës raportohen përplasje apo akte dhune, duke nxjerrë në pah nevojën urgjente për rritjen e sigurisë në këtë destinacion gjithnjë e më të frekuentuar nga turistë vendas dhe të huaj.
Në zonë mungon prania e përhershme e policisë, çka e bën të domosdoshme vendosjen e patrullimeve të rregullta gjatë gjithë sezonit turistik për të parandaluar ngjarje të tilla.
