44-vjeçari Eqerem Sorra u arrestua nga policia e Delvinës pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri të tipit kallashnikov në automjet.
BalkanWeb ka siguruar foton 44-vjeçarit si dhe ka zbuluar detaje nga e shkuara e tij kriminale.
Mësohet se Sorra ka qenë më parë i dënuar në Kaliforni në lidhje me një rast përdhunimi.

Njoftimi:
Në vijim të kontrolleve intensive të ndërmarra nga strukturat e komisariateve të Policisë Sarandë dhe Delvinë me mbështetjen dhe të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me fokus të veçantë qytetet e Sarandës dhe Delvinës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e shtetasve në kërkim dhe kontrollin e shtetasve me precedent penal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Ngarkesa”.
Gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:
Eqerem Sorra, 44 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Blerimas”, Delvinë, ndërkohë që qarkullonte me një automjet tip “Toyota”. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me 30 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
