Edicioni i 112-të i Turit të Francës po i afrohet fundit, teksa dje u zhvillua edhe etapa e 17- të, Bollene-Valence, 160.4 km.
Një garë kryesisht fushore, e cila shkoi për italianin Jonathan Milan. Çiklisti i skuadrës Lidl-Trek regjistroi kohën 3:25:30, duke fituar sprintin final kundër belgut Jordi Meeus (Red Bull-BORAhansgrohe) dhe danezit Tobias Lund Andresen (Picnic PostNL). Një garë e zhvilluar në reshjet e shiut, me sprintierët që u thirrën në apel.
Në pjesën e parë të garës u shkëputën Vincenzo Albanese (EF Education–EasyPost), Quentin Pacher (Groupama– FDJ), Jonas Abrahamsen (Uno-X Mobility) dhe Mathieu Burgaudeu (TotalEnergies), por pa mundur të shkonin përtej 2 minutave epërsi. Më pas diferencat u reduktuan, duke vijuar pedalimin e fortë drejt finishit, me sprintierët që morën kryesimin. Por në fund pati edhe momente frike, pasi u shënua një rrëzim në flamurin e kilometrit final, duke e ndarë grupin, me 10 çiklistë që luftuan për fitoren.
Në fund në skenë doli fanella jeshile (sprintieri më i mirë), Jonathan Milan, i cili u shkëput në 150 metrat finale, duke i dhuruar gëzim skuadrës së tij dhe Italisë, për të shënuar suksesin e dytë në Turin e Francës.
FANELLA E VERDHË – Për sa i përket klasifikimit të përgjithshëm, Tadej Pogacar (UEA) mbetet lider edhe pas etapës së 17-të. Çiklisti slloven kryeson me 4 minuta e 15 sekonda nga danezi Jonas Vingegaard (Visma) dhe 9 minuta e 3 sekonda nga vendi i tretë, gjermani Florian Lipoëitz (Red Bull-BORA-hansgrohe). Turi do të vijojë me dy etapat e radhës në Alpe, teksa sot do të mbahet e 18-ta, Vif-Courchevel (171.5 km). Kjo është edhe gara më e fortë e Turit për sa i përket disnivelit, me 67 km ngjitje.
