Arrestohet Klaus Jaçaj, 31 vjeç, banues në Sarandë, ndaj të cilit Prokuroria e Sarandës kishte lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, lidhur me ngjarjen e ndodhur në 17 korrik, ku u plagosën me armë zjarri dy persona.
Jaçaj akuzohet si i përfshirë në ngjarjen e javës së kaluar ku dy të rinjtë, Ernest Lama, 24-vjeç dhe Gëzim Hoxhaj, 32-vjeç, u qëlluan me armë zjarri. Ai dyshohet se përkrahu autorin e dyshuar, Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, në kërkim për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.
31-vjeçarit Klaus Jacaj iu vendos lëndë eksplozive te automjeti në 21 korrik e cila u shoqërua nga një shpërthim i fuqishëm. Ndërkohë, në kërkim për plagosjen e dyfishtë vijojnë të jenë Ramadan Canaj, vëllai i tij Erjon si dhe Artan Murtaj.
Ndërkohë, po në Sarandë është arresttuar edhe Gerald Dukaj, 31 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 1 vit, 10 muaj e 17 ditë burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
(BalkanWeb)
