Zjarri i përmasave të mëdha që ka nisur prej disa orësh djeg sipërfaqe të gjera me kullota në zonën e luginës së Kalasës, pranë Delvinës. Flakët kanë përfshirë tashmë disa plantacione me drurë frutorë dhe janë duke iu afruar rrezikshëm masiveve me ullinj në afërsi të fshatit Fushë-Vërri.

Një nga drejtimet e përhapjes së zjarrit është faqja e malit të Gjerë, drejt qafës së Skërficës, pranë rrugës nacionale Kardhiq–Delvinë, ndërsa një tjetër krah i flakëve po avancon drejt jugut. Era po favorizon përhapjen e zjarrit, i cili dyshohet se është i qëllimshëm.

Ndërhyrja nga toka paraqitet shumë e vështirë për shkak të terrenit të thepisur kodrinor dhe malor. Për këtë arsye, operacioni për frenimin e përparimit të flakëve po mbështetet edhe nga ajri, ku janë angazhuar dy helikopterë.

Disa dhjetëra forca zjarrfikëse janë në terren, ndërkohë që është kërkuar edhe ndihma e banorëve të fshatrave Kalasë, Tatzat, Fushë-Vërri dhe Vanë për të mbështetur përpjekjet për shuarjen e zjarrit.

Ndërkohë, dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm dhe hetimet për përcaktimin e shkakut të tij kanë nisur.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb