Këshilltari për çështjet ekonomike në PD, Dorjan Teliti, anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, u shpreh se këshilli bashkiak duhej të kishte dalë me një vendim që Erion Veliaj të largohej nga detyra dhe pastaj t’i drejtoheshim këshillit të ministrave me kërkesën për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira për kryetarin e ri.

Sipas Telitit, deri në 3 muaj, ligji e njeh që mund të drejtojë njëri nga nënkryetarët, tashmë ka kaluar çdo afat. “Ne nuk po kërkojmë që të ikë Veliaj dhe të vijmë ne, por ta vendosin qytetarët me zgjedhje” – theksoi Teliti.

Dorjan Teliti: “Po ndodh një kakofoni politike e madhe ku çdokush po bën punën e tjerëve. Ke kryeministrin që bën punën e bashkisë, kryetarin e bashkisë de jure e ke në burg, është një zonjë tjetër që ishte nënkryetare dhe është komanduar kryetare, por ndërkohë para 3 ditësh i është thënë se do shkarkohesh, pra nuk merret vesh asgjë. Këto duhet të marrin urgjentisht zgjidhje, t’i kthehemi normalitetit.

Sot, që kishim mbledhjen e këshillit bashkiak ne e kërkuam si opozitë të trajtohej çështja se si po menaxhohet punë në bashki, kur kryetari është zyrtarisht i pandehur. Këshilli bashkiak duhej të kishte dalë me një vendim që Erion Veliaj të largohej nga detyra dhe pastaj t’i drejtoheshim këshillit të ministrave me kërkesën për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira për kryetarin e ri. Pastaj Tirana të zgjidhte kë donte mes kandidatëve që dalin në garë.

Deri në 3 muaj, ligji e njeh që mund të drejtojë njëri nga nënkryetarët, tashmë ka kaluar çdo afat. Si zëvendësohet një kryetar bashkie? Me zgjedhje. Ne nuk po kërkojmë që të ikë Veliaj dhe të vijmë ne, por ta vendosin qytetarët me zgjedhje.”

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb