Prej vitesh, Evropa është kthyer në një tabu të madhe për ekipet shqiptare, por xhiro e parë në turin e dytë në Conference League la një shije shumë të mirë, jep shpresën për të vijuar më tej në këtë turne të UEFA-s. Të tre ekipet që janë në lojë, Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo arritën fitore në aktet e para, jo vetëm që triumfuan, por këtë e arritën me loje dhe rezultat bindës.
Një fitore të madhe siguroi Egnatia, me ekipin e Tetovës që mposhti Dinamo Minsk në transfertë. Ky ishte një sukses i rëndësishëm, i ardhur menjëherë pas dështimit në Champions. Nuk ishte favorit në letër as Vllaznia, por ekipi i Edi Martinit tregoi karakter duke fituar 2-1 me përmbysje përballë Vikingur Reikjavik. Pas 15 vitesh në Evropë u rikthye Dinamo City, ashtu si Vllaznia edhe blutë triumfuan me përmbysje 1-2 ndaj Atletic Escalades.

Këto rezultate, mbi të gjitha të Egnatias dhe Dinamos shtojnë shanset për t’u kualifikuar për në turin e tretë të Conference League: “3 magji shqiptare”, ishte titulli kryesor i Panorama Sport. “Egnatia zot në transferte. Vllaznia, triumf me tifozët. Dinamo, fitore karakteri”, shton ndër të tjera e përditshmja më e madhe sportive në vend.

Triumfi i tre ekipeve shqiptare mori edhe përgëzimin e presidentit të FSHF-së, Armand Duka: “Triumfi në ndeshjet e para të turit të dytë kualifikues të UEFA Conference League është mjaft pozitiv për tre ekipet tona dhe për futbollin shqiptar. Gjithsesi, asgjë nuk ka mbaruar, duhet i njëjti përqendrim për të vazhduar më tej në raundin tjetër të Conference League”, lexohet ndër të tjera në reagimin e Dukës.
(BalkanWeb)
