Presidenti venezuelian Nicolás Maduro ka bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë në zgjedhjet komunale të së dielës, duke e shpallur vendin pionier të një modeli të ri të “demokracisë së drejtpërdrejtë popullore”.
Opozita, e organizuar nën Platformën Demokratike, e udhëhequr nga Maria Corina Machado, ka bërë thirrje për abstenim nga kjo “farsë e re zgjedhore”, e cila vjen saktësisht një vit pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale.
Duke përfituar nga bojkoti i opozitës, Maduro po përgatitet kështu të festojë një triumf, ndërsa njëkohësisht kërkon të fshijë kujtesën e asaj që ndodhi në muajt e fundit, kur Këshilli Kombëtar Zgjedhor e shpalli Maduron fitues pa ofruar prova, ndërsa opozita, e mbështetur nga një numër i madh vendesh perëndimore, denoncoi mashtrimet masive dhe një grusht shteti zgjedhor.
Maduro këmbënguli që zgjedhjet e së dielës, për të zgjedhur administratat e 335 komunave, të konfirmojnë vlefshmërinë e “modelit socialist të shekullit të 21-të” dhe mbrojtjen e “demokracisë pjesëmarrëse”, duke shpjeguar se modelet demokratike “borgjeze” perëndimore janë të shterura dhe duke premtuar një “protagonizëm të ri popullor”.
(BalkanWeb)
