Keidi Bare, në 360 gradë. Mesfushori shqiptar flet për fillimet e tij, karrierën e vështirë në Greqi ku u transferua në moshën 11 vjeç, dhe Spanjën derisa u bë futbollist profesionist. Pa harruar edhe sezonin e tij të parë të vështirë te Saragoza për shkak të lëndimeve, megjithëse konfirmon angazhimin e tij për të qëndruar.
Karriera juaj në futboll ia vlen të studiohet. Në moshën 11 vjeç u larguat nga Shqipëria dhe shkuat vetëm në Greqi, për t’u bashkuar me akademinë e të rinjve të Panathinaikosit…
E lashë vendin tim në një moshë shumë të re. Ishte një vendim i vështirë, dhe tani që e mendoj, mund ta vlerësoj më qartë se çfarë do të thotë për një fëmijë të asaj moshe të largohet nga shtëpia dhe të shkojë kaq larg. Është padyshim shumë e vështirë. Gjithashtu, më ndihmoi shumë, sepse u poqa para kohe. Mendoj se nëse nuk do ta kisha ndërmarrë atë hap, me gjithçka që përfshiu më pas, nuk do të kisha qenë aty ku jam. A ka qenë e vështirë? Të jetosh në atë moshë në një azil, mijëra kilometra larg, nuk është e lehtë. Kjo është e sigurt.
Çfarë të thanë prindërit e tu?
Për shembull, babai im ishte i bindur se unë do të bëhesha lojtar profesionist. Ai gjithmonë e kishte këtë bindje dhe më shtyu ta provoja. Falë tij, unë jam ky që jam. E gjithë familja ime më mbështeti shumë, por sidomos ai. Pasi e ke kaluar, të duket më e lehtë. Koha bën të harrosh gjëra, por nuk është e lehtë të mos i kujtosh ato ngjarje.
Kohë të vështira edhe në Shqipëri, ku linde në vitin 1997, menjëherë pas kryengritjes popullore?
U rrita me pasojat e asaj lufte, të cilën prindërit e mi e përjetuan shumë më tepër. I gjithë vendi përjetoi varfërinë që gjithmonë vjen pas një konflikti kaq të madh, por unë pata një fëmijëri shumë të qetë dhe vërtet të mirë. Pastaj gjërat ndryshuan, vendi përparoi dhe tani Shqipëria nuk është aspak si ajo që ishte dikur. Është një vend miqësor për turistët me peizazhe të pabesueshme.
Le të kthehemi në Greqi, pas atyre katër viteve t’u desh të ktheheshe në Shqipëri për shkak të problemeve burokratike?
Në dy vitet e fundit, për shkak të problemeve me dokumentet, nuk munda të luaja në Greqi. Vetëm u stërvita, dhe kjo është tepër e vështirë për një 13-vjeçar, shumë frustruese. Nuk e shijon atë që po përjeton. Kjo është arsyeja pse u ktheva në shtëpi, dhe në ato gjashtë muaj, kur isha 15 vjeç, arrita të debutoja me ekipin e parë të qytetit tim të lindjes, Apolonisë. Pastaj erdhi koha ime tek Atletiko, megjithëse nuk ishte prova ime e parë në Spanjë. Më parë kisha bërë një provë tek Espanjoli, por nuk qëndrova. Më vonë do të përfundoja, duke luajtur me ekipin e parë, pasi kalova nga Malaga. Është shembulli më i mirë se futbolli merr shumë kthesa dhe gjithçka mund të ndryshojë. Thjesht është çështje kohe.
Me të mbërritur tek Atletiko, u përsërit e njëjta histori si në Greqi dhe nuk mund të luaje për shkak të problemeve administrative si i huaj?
Po, i njëjti problem. Nuk mund të luaja dhe kalova një vit a më shumë, pothuajse dy, duke u stërvitur. Isha në vitet e mia të rinisë dhe përsëri, e njëjta ndjenjë zhgënjimi kur shihja që shokët e mi të ekipit që mund të luanin dhe unë jo. Isha i duruar, mësova ta përballoja derisa mbusha 18 vjeç, moshën madhore, dhe fillova të luaja. Është e vështirë të stërvitesh dhe të mos jesh në gjendje të luash, aq më tepër nëse nuk është për shkak të një dëmtimi. Ato ishin kohë të vështira.
A ke menduar ndonjëherë të dorëzohesh?
Familja ime më rriti që të mos dorëzohesha kurrë. Të mos dorëzohesha kurrë. Pa këto vlera, nuk do të kisha ikur nga shtëpia kur isha vetëm 11 vjeç. Isha i duruar, dita të prisja, edhe pse isha shumë larg familjes sime, por pa qenë në gjendje të bëja atë që dua më shumë. Kohë të largëta, është e vërtetë, por më bënë më të fortë. Më dhanë një perspektivë të ndryshme për gjithçka. Që atëherë, e kam parë jetën ndryshe.
Koha juaj në ekipin e të rinjve të Atletikos përfundoi në një mënyrë zhgënjyese. Më saktë me një karton të kuq kundër Fabril për fyerje të gjyqtarit. Ishte prilli i vitit 2018, dhe disa muaj më vonë u larguat për tek Atletiko Malagueno. U pezulluat për 12 ndeshje…
Gjithmonë e kam mbrojtur pafajësinë time në lidhje me atë që ndodhi atë ditë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë. Nuk kam asgjë për të gënjyer ose fshehur për shkak të asaj që ndodhi, sepse këto situata mund të ndodhin në futboll. Ajo që ishte shkruar në protokoll, fyerjet, nuk i kam thënë kurrë në asnjë moment. Mbaj mend që disa vite më vonë takova gjyqtarin dhe i kërkuam falje njëri-tjetrit. Është gjithashtu një episod që më bëri të piqem dhe të bëhem më i fortë.
Gjithmonë ke qenë një futbollist me karakter të fortë. Shumë i vendosur kur luan. Një lojtar që futet fort dhe nuk bën kompromise me intensitetin. A ke mësuar me kalimin e kohës, ta kontrollosh këtë cilësi?
Unë mendoj se po, megjithëse ndonjëherë, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, ai personalitet del në pah pavarësisht se sa shumë përpiqesh ta fshehësh. Jam i qetë dhe shumë i lumtur që jam kështu, dhe mendoj se kjo më ka ndihmuar shumë në karrierën time. Të gjithë i shohin gjërat ndryshe, por mendoj se personaliteti im më motivon më shumë dhe ndihem më i sigurt në vetvete. Gjithashtu i transmetoj grupit gjëra më pozitive, qoftë në fushë apo në stërvitje.
A e konsideron veten një luftëtar futbolli për shkak të karakterit, ose për shkak të kësaj mënyre loje?
Nuk më pëlqen të flas shumë për veten. Preferoj të gjykohem nga të tjerët, nga jashtë, ndërkohë që përpiqem të jap më të mirën time.
A e demonstroni këtë karakter, duke pranuar të ishit një nga kapitenët, pavarësisht se qëndroni në dhomat e zhveshjes vetëm për disa javë. A ndiheni si një lider në ekip?
Më pëlqen ky rol, por nuk është diçka që më bën të ndihem keq ta marr përsipër. Gjëja e rëndësishme për mua është të shoh grupin të ecë mirë. Jam një lojtar që më dëgjojnë në dhomat e zhveshjeve, edhe për shkak të kaluarës sime, sepse kam luajtur futboll për kaq shumë vite, por kjo nuk është e rëndësishme. Ose ndoshta nuk është më e rëndësishme. Mund të jem një udhëheqës, por ajo që dua është që të gjithë të jenë të tillë. Që të gjithë të tregojnë atë personalitet që kanë. Gjërat më vijnë ashtu siç i ndiej dhe kur dua t’i them, por gjëja kryesore për të krijuar një grup prej 10 vetash është që të gjithë të jemi në të njëjtin nivel dhe të jemi kapitenë në mënyrën tonë.
Në karrierën e tuaj, Malaga është ndoshta skuadra më e rëndësishme. Është klubi ku keni performuar formën tuaj më të mirë dhe skuadra që ju ka ngjitur në nivelin më të lartë në futbollin spanjoll…
Po, është e vërtetë. Kam kujtime të mrekullueshme nga ajo kohë. Ai klub më ndihmoi shumë dhe mendoj se edhe unë dhashë shumë atje. Malaga është përgjegjëse për pozicionin ku jam tani. Ata më dhanë mundësinë time të parë për të qenë në futbollin profesionist dhe për të shfaqur veten. Atje kalova shumë mirë.
E gjithë karriera juaj profesioniste ka qenë në Spanjë. A e shihni veten të tërhiqeni nga futbolli në këtë shtet?
Nuk e di, nuk mund ta them me siguri absolute. Me kthesat dhe ndryshimet që merr gjithmonë futbolli, është e vështirë të shohësh kaq larg, por ideja ime është ta përfundoj karrierën time këtu në Spanjë. Të paktën kështu mendoj.
Pasi nuk rinovove kontratën me Espanjolin verën e kaluar, ju bashkove Saragozës në fund të korrikut, dhe nuk ishit në pjesën më të madhe të parasezonit. Të paktën në pjesën më të vështirë. A e pagove këtë çmim më vonë?
Parasezonet (fazat përgatitore) janë jetike për trupin, për fizikun tim. Duhet të bëj një përpjekje të konsiderueshme për të qenë në gjendje të mirë fizike. Parasezonet janë edhe më të rëndësishme për mua sesa për të tjerët, dhe ishte hera e parë që humbisja kaq shumë kohë përgatitjeje. Sigurisht, mendoj se më la gjurmë më vonë, por futbolli është i tillë. Ka ndodhur tashmë, dhe asgjë nuk mund të ndryshohet.
Gjëja kurioze është se Keidi Bare e nisi mirë sezonin dhe ishte ndoshta në formën e tij më të mirë, deri në dëmtimin e parë kundër Elçes dhe më pas me problemin e muskulit të kofshës. Je dakord?
Pajtohem dhe nuk kam asnjë dyshim se ishte loja ime më e mirë sezonin e kaluar. E di saktësisht kush jam dhe sa vlej nëse lëndimet ma lejojnë, por nuk ishte fati në sezonin tim të parë këtu. Gjithashtu, besoj se nuk isha vetëm unë, sepse performanca e ekipit ra dhe kjo ndikon te të gjithë lojtarët dhe gjërat nuk dalin sipas projeksionit. Është futboll, gjërat ndodhin dhe duhet të shërbejnë që të mësojmë dhe të mos bëjmë të njëjtat gabime.
Lëndove muskujt e kofshës në shtator, pastaj gjurin në nëntor dhe muskulin “soleus” në mars. A pate ndonjë dëmtim që të shqetësoi më shumë?
Ajo që më shqetësonte më shumë ishte pse pata kaq shumë lëndime kur më parë kisha pasur shumë pak. Gjithmonë të vogla. Nuk e kuptoja arsyen e kaq shumë lëndimeve të njëpasnjëshme, por përfundon duke pranuar që këto gjëra, që ndodhin edhe për të mësuar. Gjuri ishte gjëja më shqetësuese nga të gjitha, por tani jam mirë fizikisht dhe është koha të eci përpara.
Ke pranuar ndonjëherë se ke bërë një gabim që ke kërkuar një rikthim më të hershëm me dëmtimin tënd të fundit…
Kishte zhgënjim që nuk isha në gjendje të ndihmoja ekipin gjatë një kohe të vështirë. Të gjithë bëmë gabime, unë para së gjithash. Doja të luaja menjëherë, i etur për të ndihmuar dhe për të qenë me ta, me pjesën tjetër të ekipit, saqë nxituam gjërat, por kështu ndodh në futboll.
Gjatë atyre muajve që ishe larg, me ekipin në rënie të lirë dhe me mbërritjen e Gabit… A pate ndonjëherë frikë nga rënia nga kategoria?
Kur je jashtë, gjëja më e vështirë është të pranosh faktin se nuk mund të ndihmosh. Unë jam një lojtar që nuk e ndien presionin ose nervozizmin aq sa të tjerët. Di si t’i kontrolloj emocionet e mia në këtë drejtim. Nuk mendoj se përgjegjësia e tepërt më prek shumë. I përballoj të gjitha gjërat natyrshëm dhe kjo është e rëndësishme në ato momente. Kur isha në tribunë duke parë ekipin, ndjeva gjithçka, të gjitha ngarkesën e botës. për të qenë i sinqertë, pata një moment shumë të keq, por nëse më pyet nëse mendoja se ekipi mund të binte, do të thosha jo. Thellë-thellë e dija se nuk do të ndodhte dhe për fat të mirë nuk gabohesha.
Sa për qind e ndikimit të Keidi Bares është parë te Saragoza?
Shumë pak. Saragoza, tifozët e saj vitin e kaluar, kanë parë shumë pak nga Keidi Bare i vërtetë, ai që unë mund të jem. Luajta vetëm gjysmën e ndeshjeve të sezonit të kaluar, duke qenë titullar në 20 takime. Nuk mund të them përqindjen, por e di që nuk kanë parë Keidin më të mirë, dhe e di që mund të jap shumë më tepër. Dhe as Keidi nuk ishte më i miri i karrierës, pasi nuk e kisha bërë parasezonin siç duhej. Njerëzit që më kanë parë të luaj për Malagën ose Espanjolin e dinë saktësisht se kush jam, dhe duhet ta provoj këtë. Të jem gati për gjithçka që do të vijë.
Çfarë menduat për mbërritjen e Gabit? E njihnit që nga Atletiko, kur ishit në ekipin e të rinjve dhe në ekipin rezervë. Ai ishte kapiten dhe lojtar kyç atje…
Madje luajtëm edhe një ndeshje zyrtare së bashku, në debutimin tim kundër Las Palmas dhe në Kupën e Mbretit (sezoni 16-17) kur u aktivizova minutat e fundit atë ditë. E njoh si lojtar dhe kam ndarë shumë seanca stërvitore, përfshirë atë ndeshje, megjithëse sigurisht jo të gjitha. Nuk kam qenë në gjendje të luaj asnjë ndeshje me të si trajner që kur ai mbërriti në Saragoza, sepse isha i lënduar. E njoh shumë mirë. E di saktësisht se çfarë kërkon çdo ditë, si është dhe si dëshiron t’i bëjë gjërat.
Dhe si është?
Është ai që shihni. I drejtpërdrejtë, intensiv, i hapur, me një marrëdhënie shumë të drejtpërdrejtë dhe të ngushtë me lojtarët, me të gjithë. Gjithmonë përpiqet të të ndihmojë dhe është i vëmendshëm ndaj gjithçkaje. Intensiteti dhe agresiviteti, vrapimi si i çmendur dhe ndihma ndaj çdo shoku skuadre janë të panegociueshme, sepse kështu ishte ai si futbollist. Këto janë shumë të rëndësishme për të. Ai gjithashtu pëlqen që skuadra të ketë topin dhe ne po punojmë shumë për këtë.
Futbolli i Gabit i shkon përshtat Keidi Bares?
Mendoj se po, më përshtatet. Përshtatem në mënyrë të përkryer, megjithëse mendoj se si mesfushor mund të përshtatem me të gjitha nivelet. Ne stërvitemi për këtë, për të bërë atë që trajneri na kërkon, në mënyrë që puna që bëjmë çdo ditë të reflektohet në fushë, me idenë për të filluar sa më fort të jetë e mundur dhe, mbi të gjitha, me qëllimin për ta ruajtur atë më pas.
Mesazhi i klubit, dhe veçanërisht i Gabit këtë sezon, është ai i përulësisë dhe maturisë në objektivat, pa përmendur drejtpërdrejt ngjitjen në kategori. Çfarë mendoni ju?
Gjithmonë kam besuar, këtu dhe në ekipet e tjera me të cilat kam luajtur. Në ndjekjen e një qasjeje të përditshme, duke i bërë gjërat mirë në çdo seancë stërvitore, në çdo ndeshje, duke u rritur pak nga pak, dhe kjo është mënyra se si arrihen gjërat e mëdha. Nuk ka të bëjë me shikimin në afat të shkurtër, ka të bëjë me shikimin e të tashmes. Të tashmen, dhe kaq. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Puno shumë për formën tënde më të mirë sot, dhe do të shohim se çfarë ndodhë nesër. Stërvitu shumë për të dhënë gjithçka, gjithmonë dhe në çdo ndeshje. Kjo është e vetmja gjë për të cilën duhet të shqetësohemi.
Me Espanjolin je ngjitur dy herë në La Liga. E treta duhet të jetë me Saragozën?
Shpresoj që ngritjet në kategori, të cilat i kam përjetuar atje do të bëhen histori. Unë këmbëngul që çdo ditë të punoj fort, 100%, dhe të arrij qëllimet që i kemi vënë vetes.
Ke edhe dy vjet të mbetura në kontratë. A do të qëndrojë Keidi Bare te Saragoza sezonin e ardhshëm?
Qëllimi im i është ky. Jam plotësisht i përqendruar te Saragoza. Dua t’i bëj gjërat mirë, sepse erdha këtu me entuziazëm dhe dëshirë. Kam investuar shumë në këtë klub dhe ata kanë investuar shumë edhe tek unë. Ndihem rehat dhe kjo është ajo që e shoh si më të rëndësishmen. Nuk mendoj për ndonjë skenar tjetër përveç qëndrimit, për të dhënë shumë më tepër në këtë vit të dytë te Saragoza. Nuk jam vetëm unë, por të gjithë, përfshirë ata që vijnë, ata përreth ekipit, trajnerët, asistentët, ata në klub… Të gjithë duhet të bëjmë atë hap përpara në mënyrë që nëse i bën gjërat mirë, ato zakonisht të dalin mirë në fushë.
Meqë ra fjala, parasezoni me Gabin është më i vështiri që ke pasur ndonjëherë?
Ndër dy të vështirat, njëri që bëra me profesor Ortegën tek Atletiko, me ekipin e parë. Është ndër më të vështirit. Pa dyshim.
