Pamjet e ditës së sotme nga fshatrat e Njësisë Administrative Vergo në bashkinë Delvinë janë dëshmi e një katastrofe natyrore që ka lënë pas një shkrumb total. Toka, fusha, ullishte dhe banesa janë përpirë nga flakët që u përhapën me shpejtësi dhe pa kontroll, duke detyruar banorët të braktisin shtëpitë e tyre për të shpëtuar jetën.

Tani, shumë prej tyre janë rikthyer në vendbanimet e tyre për të parë nga afër përmasat e tragjedisë. Në sytë e tyre lexohet tronditja e një nate që do ta kujtojnë gjatë. Flakët nuk kursyen asgjë: as shtëpitë, as bagëtitë, as tokat bujqësore nga të cilat shumë familje siguronin mbijetesën.

Ende nuk ka një bilanc zyrtar të dëmeve, por ajo që shihet në terren është një panoramë rrënuese, që i ngjan pasojave të një lufte. Përtej dëmeve materiale, ajo që ka lënë gjurmë të thella është frika që përjetuan banorët, të cilët, siç shprehen vetë, nuk do ta harrojnë kurrë këtë përballje me zjarrin.

Autoritetet lokale po punojnë për vlerësimin e plotë të pasojave dhe koordinimin e ndihmës për familjet e prekura, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit dhe përgjegjësit e mundshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb