Një aksident i rëndë është regjistruar rreth orës 14:30 të ditës së sotme në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e njohur si “Kthesa e Luftinjës”.

Sipas të dhënave paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete. Njëri nga mjetet drejtohej nga shtetasi B. D., banues në fshatin Kalivaç, ndërsa automjeti tjetër nga shtetasi ukrainas V. T., 38 vjeç.

Përplasja ka rezultuar fatale për një të mitur rreth 7 vjeç, djali i çiftit B. D. dhe S. D., i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Prindërit e fëmijës, B. D. dhe bashkëshortja e tij, kanë pësuar dëmtime të lehta.

Nga ana tjetër, edhe shtetasi ukrainas dhe një pasagjer që ndodhej me të kanë marrë lëndime të lehta dhe aktualisht po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e zonës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe për përcaktimin e shkakut të tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb