Drejtoresha e News24, Anila Jole, ishte e ftuar këtë të shtunë në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, ku analizoi zhvillimet më të rëndësishme të muajve të fundit, duke u ndalur veçanërisht te aksioni i fundit i qeverisë për lirimin e hapësirave publike në disa zona të vendit, përfshirë edhe zonën e mbrojtur të Thethit.
Sipas saj, ndërhyrja në Theth ishte një veprim i domosdoshëm për të frenuar betonizimin e një prej pasurive më të rralla natyrore të Shqipërisë. Ajo theksoi se qeveria është vënë në lëvizje për të shpëtuar një park kombëtar që kishte nisur të humbiste identitetin e vet prej ndërtimeve të paligjshme.
“Për mendimin tim ishte diçka e domosdoshme. Thethi është një mrekulli natyrore dhe ishte për të ardhur keq ashtu si ishte shndërruar. Ajo që ka më shumë rëndësi tani është që të mos ketë struktura betoni që të mbijnë sërish si kërpudhat. Ai është një park kombëtar që duhet mbrojtur për të thithur sa më shumë turistë,” deklaroi ajo.
Jole vuri theksin edhe te nevoja për funksionimin e shtetit ligjor dhe për parandalimin e fenomeneve të përsëritura: “Duhet një shtet ligjor që të mos lejojë ngritjen e këtyre strukturave në mënyrë të paligjshme dhe më pas shteti të kujtohet pas disa vitesh për t’i prishur.”
Në vijim të intervistës, Jole u ndal edhe te ndërhyrjet e ngjashme në Tiranë, ku sipas saj, shumë struktura kishin zaptuar trotuaret dhe hapësirat publike pa asnjë kriter apo harmoni urbane.
“Mund të kishe një sërë lokalesh të pa harmonizuara. Ose duhet të punohet me një plan ose nuk do të lejohet. Duhet të kujtojmë se kanë qenë pa leje. Autoritetet duhet të mos lejojnë që pas disa vitesh të na duhet një tjetër aksion i tillë”, theksoi drejtoresha e News24.
