Drejtoresha e News24, Anila Jole, ishte sot e ftuar në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, ku bëri një analizë të ngjarjeve politike të muajve të fundit, me fokus të veçantë te situata në opozitë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Jole tha se opozita, ndonëse në deklarata nuk i njeh zgjedhjet, në thelb i ka njohur ato përmes ankimimeve të rezultatit. “Që në momentin që shkon dhe apelon një rezultat dhe kërkon hapjen e kutive për një bashki, ke njohur pjesën tjetër. Është një retorikë e Berishës të thotë se nuk i njeh, por edhe PD është e ndërgjegjshme që rezultati nuk ndryshon,” u shpreh ajo.

Ajo theksoi gjithashtu mungesën e reflektimit brenda PD-së, duke e konsideruar këtë një nga arsyet për rezultatin e dobët.

“PD nuk po bën një analizë dhe nuk po nxjerr përgjegjës apo fajtorë për këtë situatë. Kjo situatë do vazhdojë nëse nuk ka asnjë zë që të trazojë ujërat,” tha Jole.

Ajo theksoi se në të dyja kampet politike, mungon kultura e marrjes së përgjegjësisë pas humbjeve. “Mesa duket, diktati i njëshit mbetet ende i fortë, si në PS ashtu edhe në PD,” përfundoi Jole.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb