Drejtoresha e News24, Anila Jole, ishte sot e ftuar në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, ku ndau një rezyme të ngjarjeve më të rëndësishme të muajve të fundit në skenën politike dhe institucionale. Mes çështjeve të diskutuara, Jole komentoi edhe rolin dhe ecurinë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas saj, në fazën e parë të punës, SPAK gëzonte mbështetje të qartë dhe të fortë nga SHBA, gjë që i jepte siguri institucionit dhe forcë për të vepruar. Megjithatë, Jole theksoi se edhe në mungesë të deklaratave të fundit nga partnerët ndërkombëtarë, SPAK duket se po funksionon më i pavarur dhe më shumë nën përgjegjësinë e autoriteteve shqiptare.
“Vlen të përgëzohet puna e SPAK-ut. Tani nuk numërohen më dosjet nën hetim dhe uroj që të vijojë kështu edhe nëse mbyllet mandati i zotit Dumani. Të vijojë me një figurë po aq me integritet dhe guxim për këtë punë,” u shpreh Jole.
Drejtoresha e News24 theksoi se SPAK është sot institucioni i vetëm në vend për të cilin zyrtarët e lartë kanë realisht frikë. “Ka pasur kohë që zyrtarët e lartë nuk kanë pasur frikë nga askush për të bërë korrupsion me mandatin që i kishte dhënë populli,” deklaroi ajo.
