Situata me zjarret në zonën e Prespës vijon të jetë shqetësuese, ndërsa drejtori i Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura për qarkun Korçë, Gjergji Koki, ka dhënë një deklaratë nga terreni duke përshkruar përmasat e ndërhyrjes dhe vështirësitë që po hasen.

“Fatkeqësisht, është viti i dytë që përballemi me një situatë zjarri me këtë përmasë. Megjithatë, nga eksperienca e vitit të kaluar kemi nxjerrë mësimet tona dhe reagimi i administratës ka qenë i menjëhershëm”, u shpreh Koki.

Ai theksoi se të gjitha strukturat e administratës së Zonave të Mbrojtura janë në terren që prej momentit të parë të rënies së zjarrit. “Jemi ndarë në dy grupe pune së bashku me bashkinë dhe ndihmën e punonjësve të shërbimeve dhe qytetarëve, për të krijuar kordonët e parë dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.”

Sipas Kokit, vështirësia më e madhe lidhet me terrenin e thepisur dhe mungesën e rrugëve kaluese. “Fatmirësisht, zjarri nuk ka depërtuar në bimësinë e lartë, por përhapja horizontale po na detyron të ndërhyjmë me kujdes të madh”, tha ai.

Ai shtoi se deri më tani nuk ka pasur ndihmë ajrore për shkak të prioritizimit të zonave të banuara në nivel kombëtar. “Na është komunikuar që për momentin nuk mund të presim ndërhyrje nga ajri, ndaj po koordinohemi me bashkitë fqinje dhe po mbështetemi në forcat tokësore.”

Një vlerësim i situatës do të bëhet sërish në orët e para të mëngjesit, ku pritet të ndërmerret një aksion më i gjerë për të vlerësuar dhe shuar vatrat aktive.

“Vullneti dhe përgjegjësia për të mbrojtur mjedisin është i lartë. Shpresoj që të mos përjetojmë situata si viti i kaluar dhe të mund ta izolojmë zjarrit në kohë”, përfundoi Koki.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb