Situata me zjarret në zonën kodrinore të Borshit vazhdon të përkeqësohet, ndërsa banorët janë gjithnjë e më të shqetësuar për sigurinë e banesave të tyre. Gazetari i News24, Enrik Mehmeti, raportoi se në zonë ka disa vatra aktive që po përhapen me shpejtësi dhe janë shumë pranë zonave të banuara.

Sipas gazetarit, ende nuk dihet nëse këto zjarre janë të shkaktuara nga pakujdesia apo janë të qëllimshme, por ajo që është e qartë është mungesa e ndërhyrjes efektive në pikat më problematike.

“Zjarrfikëset ndodhen në zonë, por për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve hyrëse, nuk mund të ndërhyjnë pranë banesave ku flakët janë afruar ndjeshëm,” raportoi Mehmeti.

Ndërkohë, forcat vendore dhe strukturat përgjegjëse nuk kanë bërë ende të ditur një plan të qartë veprimi për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb