Një postim i bërë nga Prefekti i Qarkut Korçë, z. Nertil Jole, në rrjetin social Facebook, bën me dije se që prej orës 05:00 të mëngjesit, ka nisur një ndërhyrje e organizuar për izolimin dhe neutralizimin e vatrave të zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës.
Sipas postimit, në operacion janë angazhuar rreth 75 forca të ndara në tre grupe, të përbëra nga:
shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Pustec, punonjës të shërbimeve publike,
stafi i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura,
forca të ushtrisë dhe
efektivë të policisë.
Terreni në zonën e prekur është shumë i thepisur dhe paraqet vështirësi serioze në ndërhyrje, por pavarësisht kësaj, forcat në terren po punojnë me intensitet maksimal për të ndaluar përhapjen e flakëve në pjesët ende të paprekura të kurorës së gjelbër të parkut.
Situata po ndiqet në kohë reale dhe operacioni po drejtohet në mënyrë të koordinuar nga strukturat përgjegjëse për të garantuar kontrollin e plotë të zjarrit sa më parë.
