Elbasani i këtij sezoni duket se ka zgjedhur të ndërtojë identitetin e vet rreth sulmit. Në prag të rikthimit në elitë, klubi ka kompletuar një grup me plot 10 lojtarë që zotërojnë tipare ofensive, duke i ofruar trajnerit një arsenal të pasur alternativash.

 

Emra si Arsen Lleshi, Blaise Tsague, Roei Ben Shimon, Ze Gomesh, Xhoel Doukouou, Karim Loukili, Ibrahima Dialo, Xhonatan Lajthia, Donart Ibrahimi dhe Fatjon Bunjaku, përbëjnë një “dhjetëshe”, që në vetvete mund të formojë një njëmbëdhjetëshe sulmuese. Të gjithë këta lojtarë janë ose sulmues të mirëfilltë, ose mesfushorë ofensivë që luajnë afër portës. Në këtë aspekt, Elbasani vjen me një strategji të qartë: të jetë një skuadër që krijon, sulmon dhe nuk mjaftohet me mbijetesën në Superiore.

 

LUKS APO PROBLEM? – Të kesh 10 lojtarë me profil sulmues është pa diskutim një luks në aspektin e alternativave, por njëkohësisht edhe një dilemë për stafin teknik. Në një formacion klasik me tre lojtarë ofensivë, do të thotë që çdo javë 6–7 prej tyre do mbeten në stol apo jashtë liste.

 

Në këtë pikë, disa prej lojtarëve të vjetshëm, që kanë qenë titullarë në Kategorinë e Parë, mund të sakrifikohen, në varësi të formës dhe nivelit të përshtatjes me ritmin e elitës. Emrat e rinj si Ben Shimon, Ibraimi apo Bunjaku pritet të sfidojnë vendet e siguruara të mëparshme. Po ashtu, lojtarët si Xhoel apo Lajthia që vijnë nga përvoja në Superiore, janë në avantazh për të fituar besimin e trajnerit.

 

 

 

 

FLEKSIBILITET NË SULM – Në aspektin taktik, prania e kaq shumë elementëve ofensive i jep trajnerit fleksibilitet për të ndryshuar skema: nga 4-2-3-1 te 4-3-3 apo edhe 3-4-2-1. Më shumë sesa një skuadër klasike “promovuese”, Elbasani po përpiqet të ngjajë me një projekt modern, me theks te loja e hapur dhe dominimi me topin. Faza përgatitore në Greqi do të jetë vendimtare për të filtruar më të mirët, por një gjë është e sigurt: ky Elbasan nuk do t’i mungojë golat këtë sezon. Rreziku i vetëm? Të mos shndërrohet ky “sulm total” në një çekuilibër që dëmton prapavijën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb