Që në krye të herës së rrëfimeve të saj, Valentina Leskaj, ish-Nënkryetare e Parlamentit, deputete dhe ministre në qeverinë e së majtës shqiptare, e ndan qartazi këndvështrimin e saj mbi politikën- Politika duhet të vijë mbi të gjitha si Ide!
Përshkrimet analitike dhe shqetësimi aktual i Leskajt është i qartë – nuk mund të kemi demokraci funksionale pa menduar më së pari vetë qytetarët në mënyrë demokratike, pa qenë ata pjesë aktive e së drejtës.
Ardhur si një reflektim ndaj viteve të saj në politikën aktive, pa harruar edhe angazhimet në jetën shoqërore si aktiviste që në fillim të ndryshimeve politike në Shqipëri, Leskaj, përmes librit të saj “Politika si ide”, sjell përpara lexuesve nevojën për të debatuar mbi idetë që na çojnë përpara, në idetë që nuk duhet të jenë domosdo kundërthënëse, por edhe bashkëjetuese në një rrugëtim që i shërben qytetarëve, në një rrugëtim ku nuk duhen shmangur pyetjet mbi të ardhmen tonë të përbashkët, e sidomos përpjekja që duhet të bëjmë për t’iu shmangur demokracisë minimale, ku flitet vetëm për zgjedhjet, për përballjet me akuza dhe kundërakuza manipulimesh, e jo për atë që do duhej t’i shërbejë qytetarëve.
Pra, ashtu si politologu Ivan Krastev, Leskaj ka shqetësim mosbesimin që vazhdon të përhapet nga politika, e më pas pasqyrohet në media dhe shkon te qytetarët si pamundësi për të ecur, si pa mundësi për të besuar se mund t’ia dalësh.
Por cili është roli i feministëve në politkën e sotme?
A do e ndryshojnë politikën shqiptare zhvillimet demografike që po përjetojmë?
A do na ndryshojë interneti tërësisht në përditshmërinë tonë dhe në komunikimin politik?
Cili është çmimi që po paguajmë për gjuhën e urrejtjes?
I ndërtuar si një bashkëbisedim me Alda Bardhylin, libri arrin të kthehet në një ftesë për të bashkëudhëtuar, sidomos me një njeri që kur flet për të shkuarën ka në mendje ndërtimin e së ardhmes.
Gjithçka e lidh me kulturën, me rritjen kulturore, madje dhe demokracinë funksionale e sheh të pa mundur pa kulturën demokratike duke ngritur alarmin se, pa një ngritje kulturore nuk mund të kemi një politikë që fton, një politikë që ndërton ura drejt tjetrit, të ndryshmit.
Madje, Leskaj i ka paraprirë debatit mbi çështjen e tjetrit, që mund të jetë nesër pjesë e fortë e shoqërisë shqiptare, duke e bërë shqipërinë një vend ku kërkohet punë nga vende që dikur ngjasonin me Shqipërinë. Ndërkohë që pabarazitë horizontale në shoqëri, integrimi i njerëzve me aftësi ndryshe, të para si një sfidë mentale, kulturore, institucionale, për Leskajn duhet të jenë beteja e të gjithëve, për të shmangur politikën asistenciale, e cila rrezikon dinjitetin.
Takimet ndërkombëtare, përballjet me Tjetrin, ndryshmin në ide, betejat politike brenda shtëpisë së saj politike, për Leskajn nuk janë data, nuk janë as poste, por janë thjesht stacione ku shpesh i është dashur të ngiitet apo zbresë përballë asaj që i është dukur e rëndësishme.
“Politika si ide” nuk është një rrëfim, por një ftesë për të debatuar mbi atë që mund të bëhet e mundur nëse i mbyllet dera gjuhës së urrejtjes dhe shihet drejt shpresës. Një libër që thotë shumë për atë që na mungon ende…
(BalkanWeb)
