Pas fitores me Vikingurin në shifrat 2-1, trajneri Martini ka “shpërblyer” futbollistët e tij, të cilét do qëndrojnë pushim dhe do shijojnë fundjavën. Në këtë mënyrë, futbollistët kuqeblu do të kenë mundësi të relaksohen gjatë këtyre ditëve, për t’u përgatitur më pas për ndeshjen e kthimit ndaj Vikingurit në Islandë.
Këto ditë do shërbejnë si rikuperim edhe për disa nga futbollistët e shkodranëve. Duke nisur nga Klinti Qato, i cili mungoi në 90 minutat e para në Shkodër. Kuçovari po vuan një lëndim që nga ndeshja e parë ndaj Daugavpils në Elbasan dhe shpresat janë për një rikuperim të tijin për duelin e kthimit. Po ashtu, do shikohet me kujdes edhe gjendja e Ardit Krymit.
Mesfushori po ashtu shfaqi probleme në fundin e ndeshjes ndaj Vikingurit, edh pse 29-vjeçari sakrifikoi duke qëndruar në fushë deri në minutën e fundit të lojës. Në këtë mënyrë, gjendja e tij duhet parë në detaje nga ana e stafit mjekësor.
Një tjetër futbollist i cili ka nevojë për rikuperim, është edhe Eslit Sala, i cili ka qenë në dyshim deri në momentin e fundit për aktivizimin në ndeshjen e parë.
Kjo sepse 24 orë para sfidës në Shkodër, ish-futbollisti i Vallettas ka kaluar një virozë sezonale dhe gjendja e tij fizike nuk ka qenë në 100%. Patjetër që rikuperimi i të gjithë këtyre elementëve do të kompletonte akoma më shumë skuadrën e Vllaznisë. Kuqeblutë kanë bërë një gjysmë hapi për kualifikimin historik në turin e tretë të Conference League.
