Forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës vijojnë përpjekjet për izolimin e disa vatrave zjarri në territorin e qarkut, me ndërhyrje të vështira për shkak të terrenit të thepisur dhe të paarritshëm.

Një vatër e rrezikshme është shfaqur në zonën e pyllit të mbrojtur në fshatin Zhulat, ku zjarrfikësit, në bashkëpunim me forcat mbështetëse, kanë ndërhyrë intensivisht për izolimin e flakëve. Falë punës në terren, të gjitha vatrat e arritshme janë izoluar, megjithatë në disa zona të paarritshme vijon aktivizimi i flakëve, për shkak të pamundësisë së ndërhyrjes tokësore.

“Ndërhyrja nga ajri është e domosdoshme për shuarjen e plotë të flakëve në terrene ku mjetet dhe forcat tokësore nuk mund të depërtojnë,” bëhet me dije nga MZSH Gjirokastër.

Në këto kushte, forcat do të tërhiqen përkohësisht, duke mbetur në gatishmëri të plotë në rast të përkeqësimit të situatës.

Ndërkohë, një tjetër vatër problematike është regjistruar në malin e fshatit Fushë-Bardhë, ku prej orës 04:00 të mëngjesit deri në orën 17:10 është zhvilluar një ndërhyrje e koordinuar nga MZSH Gjirokastër dhe strukturat mbështetëse. Vatrat u izoluan plotësisht, duke parandaluar përhapjen e flakëve në zona të banuara ose me rrezik të lartë.

Autoritetet vijojnë të apelojnë për kujdes maksimal nga banorët, veçanërisht në zonat rurale, për të shmangur çdo veprim që mund të çojë në ndezjen e zjarreve, në një periudhë të ngarkuar për shërbimet e emergjencës.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb