Në shtëpinë e Milan luhet një tjetër muzikë, me bukur, me dorën e Allegri-t që ka filluar të ndihet, aq sa tifozët po e shijojnë dhe e kanë reflektuar në abonimet sezonale. Ajo që bie në sy është transformimi i Rafa Leao-s. Më në fund, portugezi është rikthyer të jetë i qartë, i saktë dhe finalizues në zonë, pasi cilësitë e tij të tjera nuk janë vendosur kurrë në dyshim.
Në testin e fundit kundër Liverpool, Leao realizoi një gol dhe dhuroi një asist, me Allegrin që e përdori si një sulmues të mirëfilltë. Portugezi është “arma” perfekte e Allegrit kundër ekipeve që i pëlqen të kenë topin në kontroll, është perfekt për lojën me kundërsulm, por në “San Siro”, në Serie A, Milan është i detyruar të luajë një tjetër muzikë, për këtë arsye Allegrit i duhen të paktën edhe dy përforcime të tjera, një mesfushor dhe mbi të gjitha një qendërsulmues, për këtë është i qartë edhe Igli Tare.
Drejtori Sportiv i “djallit” ka trokitur sërish në derën e Bruge me një ofertë të përmirësuar disi, nga 32,5 milionë euro e dërgoi në 33,5, një milionë më shumë, plus 5 të tjera bonuse dhe kjo është oferta e fundit. Tare vijon të bëjë presion me lojtarin pasi dëshira e Jasharit është një dhe e vetme, të transferohet në Milano. Milan e ka me nxitim për të transferuar Jasharit, por klubi belg vijon të bëjë rezistence.
Më e vështirë duket rruga për të arritur te Dusan Vlahovic. Allegri e kërkon me çdo kusht, por Tare ofron diçka më shumë se 10 milionë euro për Juven, ndërsa lojtarit nuk i premton më shumë se 7 milionë euro, shifra që nuk ngrohin shumë asnjë nga palët.
(BalkanWeb)
